E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti Crvenkovski rikonfirmojnë angazhimin e dy vendeve për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.

29 tetor, 2007

Ohër,
Maqedoni.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi nisi një vizitë pune në Republikën e Maqedonisë, i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga anëtarë të stafit të tij. Në pikën kufitare të Qafë Thanës, Kreu i Shtetit shqiptar u prit nga Ambasadorja maqedonase në Tiranë, Blagorodna Mingova-Krepievea, nga Ambasadori shqiptar në Shkup, Vladimir Prela, Kryetari i Bashkisë së Ohrit, Aco Petrevski, si dhe përfaqësues të kabinetit të Presidentit të Maqedonisë, Branko Crvenkovski.

Gjatë takimit kokë më kokë mes Presidentit Topi dhe Presidentit maqedonas Crvenkovski, po ashtu edhe në takimin mes dy delegacioneve u vunë në pah niveli shumë i mirë i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe vullneti e angazhimi reciprok për thellimin e mëtejshëm të tyre, nëpërmjet konkretizimit të këtyre marrëdhënieve. Të dy presidentët ndanë të njëjtin mendim mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të angazhimit serioz politik e institucional për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si kusht për sigurimin e qëndrueshmërisë, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm, forcimin e bashkëpunimit politik, në kuadër të përmbushjes së aspiratave të përbashkëta për integrimin në strukturat euro-atlantike, bashkëpunimin për të rritur sigurinë ndërkufitare dhe realizimin e lëvizjes së lirë midis dy vendeve, rritjen e bashkëpunimit ekonomik sidomos në projektet madhore si Korridori 8, Naftësjellësi AMBO, projekte konkrete në fushën e energjitikës, siç është linja e interkonjeksionit 400 KV Shqipëri-Maqedoni.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, u shpreh rëndësia e thellimit të këtij bashkëpunimi si një faktor influencues në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit. Të dy presidentët u shprehën në mbështetje të Paketës së Presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës dhe të qëndrimeve të OKB-së, SHBA-së, BE-së për të ardhmen e saj.

Në vijim, Presidenti Topi dhe Presidenti Crvenkovski dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku në fillim deklaruan:

Presidenti Crvenkovski: Në fillim do të shpreh kënaqësinë time që sot në Republikën e Maqedonisë erdhi për vizitë pune Presidenti i Shqipërisë Z. Bamir Topi. Në takim e parë pas marrjes së funksionit të Presidentit të Rëpublikës së Shqipërisë u vendos që të vazhdohen takimet e rregullta midis presidentëve. Ne bëmë një vlerësim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke i vlerësuar si marrëdhënie të mira mes dy vendeve fqinje. Bashkëpunimi është i gjithanshëm dhe mbulon shumë fusha. Kuptohet që ka fusha ku ai ngec, këto do t’i përmirësojmë në të ardhmen. Së pari për bashkëpunimin ekonomik, nuk jemi shumë të kënaqur për nivelin prej 56 deri në 60 milionë dollarë shkëmbimesh ekonomike, prandaj ramë dakord që ato të përshpejtohen. Ekzistojnë disa projekte strategjike kombëtare, si ai i Korridorit 8, AMBO, madje edhe projekte të tjera. Kuptohet bashkarisht, por edhe me ndihmën e Bullgarisë duhet të bashkëpunojmë për realizimin e këtyre projekteve. Biseduam edhe për bashkëpunimin e shërbimeve të sigurisë midis dy vendeve. Vlerësuam se në këtë fushë bashkëpunimi është i nivelit të lartë, por në të ardhmen ai duhet të përforcohet. Para së gjithash, përforcimi i brezit kufitar për të shmangur kontrabandën e armëve, të njerëzve e kështu me radhë. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë kanë aspirata të përbashkëta për t’u integruar në BE dhe në NATO. Misioni ynë i përbashkët është që në prill të vitit të ardhshëm, në Bukuresht, të marrim ftesën për anëtarësim në NATO. Këto angazhime në muajt që mbeten para Samitit duhet të dyfishohen.

Ndërsa lidhur me integrimin në BE, Presidenti Crvenkovski ofroi gjithë përvojën e vendit të tij për ta ndihmuar Shqipërinë në hapat e mëtejshme drejt familjes europiane.

Presidenti Topi: Përshëndetje përfaqësues të medias! Jam sot në Ohër në një vizitë pune për të biseduar më Presidentin Crvenkovski pikërisht për ato marrëdhënie që duhet nomalisht të vazhdojnë jo vetëm mes dy presidentëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, por edhe për të nxitur bashkëpunimin ndër-institucional midis dy vendeve tona. Fillimisht e falenderova Presidentin Crvenkovski për mikpritjen, për mesazhin e urimit për zgjedhjen time si President i Shqipërisë, shpreha gatishmërinë që ajo traditë që është krijuar për takime midis presidentëve të intensifikohet në të ardhmen. E informova për zhvillimet politike në Shqipëri, për faktin që Shqipëria sot është në sfidën e integrimit euro-atlantik dhe të gjitha detyrimet që vijnë nga plotësimi i standardeve të kërkuara. U ndala tek nevoja e thellimit të reformave, nevoja e bashkëpunimit mes institucioneve politike dhe besoj edhe në refrormimin e forcimin e të gjitha institucioneve shqiptare. I shpreha vlerësimin për bashkëpunimin, që tashmë është futur në një rafsh tradicional mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, për interesat e përbashkëta, që kanë dy vendet tona në integrimin euro-atlantik.

Para dy vendeve tona kemi një sfidë të afërt, pra në kuadrin e Kartës së Adriatik 3, ku Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia presin të marrin një ftesë në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Kjo periudhë e mbetur na detyron që të bashkëpunojmë duke i intesifikuar hapat. Sigurisht edhe për një sfidë tjetër: atë të integrimit në BE, ku Maqedonia, që është një hap më përpara se Shqipëria, të shërbejë si një pikë referimi për hapat që janë bërë dhe të ketë bashkëpunim me institucionet shqiptare të të gjitha niveleve për bashkërendimin e hapave për realizimin e këtyre standardeve në funksion të integrimit në BE, thellimin e dialogut politik, konsolidimin e institutcioneve demokratike, sigurinë në rajon, bashkëpunimin midis forcave policore në të dyja anët e kufirit, për të arritur një efektshmëri më të lartë në luftën kundër krimit të organizuar dhe për rritjen e parametrave të qëndrueshmërisë rajonale. Gatishmëria nga të dy palët është e plotë dhe ne jemi të bindur se do ta rrisim efektshmërinë në luftën kundër krimit të organizuar.

Një moment tjetër i rëndësishëm është bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, ku sikurse i evidentoi zoti President, janë projektet e Korridorit 8, Naftësjellësit AMBO dhe linja e transmetimit 400 KV Shqipëri-Maqedoni. Besoj se edhe në këtë linjë duhet të inkurajojmë akoma më shumë edhe lëvizjen e lirë të njerëzve në të dy krahët e kufirit dhe kjo, sigurisht do të ndihmojë në zhvillimin e biznesit dhe në komunikimin njerëzor.

U informova nga Presidenti për situatën e brendshme politike në Maqedoni. Shpreha edhe njëherë besimin që roli i Zotit President në ekuilibrimin e situatës politike në Maqedoni është mjaft i rëndësishëm. Shpreha besimin tim se Marrëveshja e Ohrit është mjaft e rëndësishme, si në zbatimin politik, ashtu edhe në planin juridik, ku besoj se partitë politike do t’u qëndrojnë besnike atij pozicioni, që kanë mbajtur në Marrëveshjen e Ohrit, marrëveshje e arritur edhe nën kujdesin e partnerëvë tanë stategjikë.

Diskutuam edhe për çështjen e Kosovës. Sigurisht, Shqipëria e ka përcaktuar prej kohësh qëndrimin e saj, duke iu referuar Planit të Presidentit Ahtisari, ka inkurajuar bisedimet 120 ditore. Sigurisht, mbetemi skeptikë në përfundimin me rezultate pozitive të bisedimeve në këtë afat. Nga kjo pikëpamje dëshiroj të shpreh bindjen tonë se Plani i Presidentit Ahtisari mbetet më i miri. Ne i mbetemi qëndrimit se çështja e Kosovës është një çështje europiane. Besoj se vendet e BE-së do të sinkronizohen për statusin e pavarësisë së Kosovës, pasi ky moment është shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë afatgjate të vendeve të Ballkanit. Ky do të ishte momenti, që do të çlironte psikologjikisht edhe vetë Serbinë për t’iu kthyer sfidave të integrimit në familjen euro-atlatike. Padyshim, e ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit është në BE dhe ne jemi të bindur që në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, siguria e rajonit do ta garantojë këtë gjë. Shpreha besimin dhe po e rishpreh edhe në këtë moment që takimet tona do të vazhdojnë për t’u shërbyer pikërisht këtyre momenteve që sapo i evidentova.

Në pasditen e sotme, Presidenti Topi do të takojë Kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›