E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

29 tetor, 2007

Ohër,
Maqedoni.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot pasdite një takim dhe bisedoi me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, në përfundim të së cilit të dy palët iu përgjigjën interesimit të mediave:

Presidenti Topi: Pata një takim me zotin Thaçi, si një përfaqësues i rëndësishëm i jetës politike në Maqedoni, pjesëtar i koalicionit qeverisës dhe ndamë mjaft momente të rëndësishme, që kanë të bëjnë me koordinimin e institucioneve demokratike në Maqedoni, me rolin e partisë që kryeson zoti Thaçi në të gjitha zhvillimet, që presin edhe Maqedoninë, në funksion të integrimit të saj në familjen euro-atlantike, në atë sfidë, që e kemi të përbashkët si Shqipëria edhe Maqedonia, për t’u integruar sa më shpejt në NATO, për të marrë një ftesë në Samitin e Bukureshtit.

Biseduam rreth problemeve politike, që ekzistojnë sot në Maqedoni dhe sigurisht i kërkova zotit Thaçi të bëjë ç’është e mundur që të rivendosë të gjithë dialogun politik edhe me partitë e tjera të spektrit politik maqedonas, në mënyrë të veçantë me Partinë e zotit Ahmeti, për t’i kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë pikërisht asaj që ne po kërkojmë: rritjen e sigurisë në rajonin tonë, rritjen e qëndrueshmërisë së këtij rajoni, integrimin e plotë në këto institucione, që sapo përmenda dhe gjeta gatishmërinë e tij për të rivendosur dhe për të kontribuar të gjithë së bashku për prosperitetin e kësaj shoqërie, që natyrisht i shërben imazhit shumë të mirë të forcimit të institucioneve në Maqedoni, të stabilitetit në rajonin tonë, të forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe, jam i bindur, se gjithçka do të ecë në rrugë të mbarë.

Kryetari i PDSH-së, Thaçi: Nuk ka dyshim se për mua ishte kënaqësi e veçantë që të takohem me Presidentin shqiptar. Askush nuk mund ta vë në dyshim autoritetin dhe kredibilitetin e Presidentit, edhe tek shqiptarët jashtë Shqipërisë, për shkak të rolit vendimtar, që ai luan në pavarësimin e politikës shqiptare. Pranova me plot seriozitet dhe dëshirë të mirë propozimin e Presidentit Topi për normalizimin e jetës politike. Biseduam për një ardhmëri të përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë në strukturat e sigurisë globale të NATO-s dhe të BE-së, biseduam për ardhmërinë e Kosovës dhe për një politikë të përbashkët, që do të ndjekin këto dy shtete në vijim të partneritetit me SHBA-në dhe BE-në. Normalisht kishte edhe tema të tjera, të cilat i bashkëbiseduam dhe që ishin në funksion e në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, por edhe të gjithë rajonit.

Top Channel: A do takoheni ju me zotin Ahmeti në funksion të lehtësimit të klimës politike në Maqedoni?

Kryetari i PDSH-së, Thaçi: Shpresoj po! Edhe pse zoti Ahmeti i ka refuzuar dy ftesat e mia, unë prapë do t’i bëj ftesë. Ne të dy nuk jemi në këto pozicione, sepse dëshiron ai ose unë, por sepse na kanë ekspozuar në këto pozicione. Edhe për hir të atyre njerëzve, ne do të bëjmë çfarëdolloj kompromisi të mundshëm që punët të ecin mirë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›