Inter, Real Madrid e Çelsi, favoritet e sfidave të sotme
Rikthehet Liga e Kampioneve, rifillon spektakli i trofeut më të rëndësishëm në Evropë për klube. Si zakonisht, nuk kanë munguar edhe kuotimet e "bookmakers"-ave për tetë sfidat që do të luhen sot dhe të mërkurën. Interi kthehet pas më shumë se 40 viteve në "Anfilld Roud" dhe këtë e bën me sigurinë se po kalon një formë psiko-fizike shumë herë më të mirë sesa e rivalëve të Liverpulit. Pavarësisht se skuadra e Mançinit do të luajë përballë një prej kundërshtarëve më të vështirë, kompanitë e basteve i shohin zikaltërit të avantazhuar që prej takimit të parë në Angli. Triumfi i Ibrahimoviç me shokë kuotohen me koeficientin 2,5, barazimi paguhet me 3,1 ndërkohë që të besuarit e trajnerit Rafa Benitez jepen lehtësisht në dizavantazh, pasi fitorja e tyre kuotohet me 2,75. Një tjetër sfidë shumë e vështirë është edhe ajo që do të luhet në "Olimpiko" të Romës, ku verdhekuqtë do të presin Realin e Madridit. Në katër ndeshje të luajtura ndërmjet dy skuadrave në mijëvjeçarin e ri, spanjollët kanë fituar në tri raste, ndërkohë që një fitore ka qenë për romanët (takimet janë luajtur të gjithë në grupet eliminatore). Në ndeshjen e parë, Roma është favorite me koeficientin 2,45, barazimi është kuotuar 3,1 ndërsa suksesi i "merengues" është 2,75. Kjo edhe sepse madrilenët do të luajë pa disa prej yjeve të skuadrës, mes të cilëve Robinjo dhe Shnajder. Porto do të jetë mike në fushën e Shakles, në acarin e stadiumit "Gelsenkirshen". Luzitanët (që kryesojnë kampionatin e tyre) janë kuotuar me 3,25, barazimi paguhet me koeficientin 3,1, ndërsa gjermanët shihen si favoritë me 2,15. E fundit nga sfidat e së martës është ajo që do të luhet në fushën e vështirë të "Karaiskaqis", ku Olimpiakosi pret Çelsin. Koeficienti për grekët, të pamposhtur në shtëpi gjatë këtij edicioni të Championsit dhe të parët në kampionatin helen, është 4, barazimi kuotohet me 3,15, ndërsa bastet për fitoren e skuadrës së drejtuar nga Avram Grant jepen me 1,9.
Nga takimet e së mërkurës, ai që spikat është padyshim Arsenal-Milani, me italianët që duhet të përballen me emergjencën në portë, me Didën dhe Kalac të dëmtuar. Jo më kot, "bookmakers"-at shohin Arsenalin si favoritë, me koeficientin 2,1, ndërsa barazimi dhe fitorja e "Djallit" janë përkatësisht 3,1 dhe 3,4. Barcelona është favorite në transfertën e vështirë në Gllasgou përballë Sëlltik (fitorja 1,85, barazimi 3,25 dhe triumfi i skocezëve 4). E ekuilibruar sfida në "Gerland" ndërmjet Lionit dhe Mançester Junajted, ndërkohë që Fenerbaçe e Zikos jepet si favorite në ndeshjen e parë me Seviljan.