Nënkryetari i PD-së: Qëndrimi i të vegjëlve, agresiv
Partia Demokratike kërkon që ndryshimet në Kushtetutë të prekin të gjitha ato pika që kanë qenë problem këto 10 vitet e fundit. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, ka sugjeruar që këto ndryshime të bëhen për një sërë problemesh që gjatë dekadës së fundit kanë futur politikën shqiptare në kaos dhe e kanë vendosur atë përballë zgjedhjeve të vështira. "Me një lëvizje të zgjidhin njëherësh disa probleme", u shpreh Patozi, duke nënkuptuar kështu mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, mandatin e prokurorit të Përgjithshëm, sistemin elektoral dhe sistemin gjyqësor. Këto çështje, gjatë viteve të fundit kanë rritur së tepërmi temperaturën e politikës shqiptare, duke çuar deri në rrezikimin e zgjedhjeve të parakohshme. "Jemi gati të reformojmë çdo paragraf të Kushtetutës", është shprehur ai. Për të shmangur ndryshimet e vazhdueshme në Kushtetutë, PD propozon një paketë ndryshimesh kushtetuese. "Në rast se ne do të prekim Kushtetutën, do të prekim sistemin, e kjo do të thotë se ne do të prekim themelet e ngrehinës së shtetit, që janë zgjedhjet dhe që janë mënyra se si krijohet Parlamenti i ardhshëm. Në këtë kontekst unë besoj se do të kishim nevojë që ky ndryshim thelbësor të reflektohej dhe në katet e tjera të ngrehinës së shtetit", tha Patozi. Sipas tij, Kushtetuta nuk duhet prekur sa herë politika të ketë nevoja momentale. "Duhet të thërrasim në kujtesë të gjithë gamën e problemeve dhe ngërçeve politike që janë shkaktuar për shkak të keqinterpretimeve apo gropave që ka Kushtetuta, në mënyrë që me një lëvizje të zgjidhnim disa probleme njëherësh", theksoi kreu i grupit kuvendor demokrat.
PD për aleatët
Nënkryetari i PD-së e ka cilësuar të pajustifikueshëm reagimin e aleatëve të Partisë Demokratike. "Qëndrimi i tyre ishte agresiv, për shkak se ne kemi të bëjmë me një nismë, e cila nuk mund t‘i mohohet asnjë deputeti dhe jo më një grupi të madh parlamentar", tha Patozi. "Është një nismë e cila mund të korrektohet, mund të plotësohet më tej para se të shkojë në seancë të Parlamentit, por ç‘është më e rëndësishme, kjo nismë po të lexohet drejt është një lamtumirë e një sistemi që ka kërkuar deviacione të mëdha të votës të qytetarëve shqiptarë, është një lamtumirë për dushkun", tha ai. Patozi theksoi se partitë politike duhet të tregohen të sinqerta për t‘i dhënë lamtumirën dushkut dhe kjo ka nevojë për një përgjigje të pastër nga të gjithë aktorët politikë në Shqipëri. Kryetari i grupit parlamentar të demokratëve është shprehur optimist në lidhje me marrëdhëniet me koalicionin qeveritar, për të cilat shprehet se beson që marrëdhëniet me aleatët nuk janë të acaruara. "Unë besoj se të gjithë aktorët politikë të Parlamentit do të bëhen të arsyeshëm se ne kemi nevojë të ngutshme për të kapërcyer këtë sistem të deformuar që kemi dhe pastaj besoj se do të gjenden rrugët e kompromisit për të arritur në një kod elektoral sa më të pranueshëm", tha Patozi. Ndërkohë që nga ana tjetër, të vegjlit e djathtë kanë kërkuar që drafti PD-PS të kalojë në Komisionin për Reformën Zgjedhore për shqyrtim.
Bashkëpunimi PD-PS
"Iniciativa e PS-së është një amendament i cili në një farë mënyre konturon një sistem proporcional rajonal, por pa dhënë detajet e tij dhe detajet ia lë ligjit elektoral që do miratohet më vonë", u shpreh kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi. "Në këtë kontekst, unë nuk shoh që të ketë nevojë për një reagim agresiv nga cilido aktor politik, pasi kjo është një fazë e mëvonshme diskutimi i pragut dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me kodin elektoral", vijoi ai. Paketën me propozime nga e majta e ka përshëndetur të hënën edhe Kryeministri Berisha. Tashmë dy partitë e mëdha kanë hapur kartat e bashkëpunimit për reformën elektorale. Nëpërmjet nismës për amendimet kushtetuese, PS ka propozuar një sistem proporcional rajonal me lista të mbyllura, bazuar në ndarjen administrative sipas qarqeve aktuale, konkretisht në 12 qarqe. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, është shprehur se "kjo është një reformë që e ndan vendin dhe politikën nga sistemi i kalbur që kemi aktualisht, nga një sistem që deformon përfaqësimin politik. Ne besojmë se ky propozim na jep një sistem zgjedhor të drejtë, përfshirës e me përfaqësim politik të ndershëm".