E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncon ish-të dashurin për shfrytëzim

Policia e Beratit deklaroi dje nisjen e një procesi hetimor ndaj një 36-vjeçari me banim në Poliçan, i cili është akuzuar për shfrytëzim prostitucioni nga ish e dashura e tij. Burime të komisariatit të këtij qyteti bënë me dije se ka nisur procedimi penal ndaj Ilia Kotiut (Artan Dautaj), i cili akuzohet se ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një vajzë 25-vjeçare. Trëndafile Boduri ka denoncuar në polici 36-vjeçarin për shfrytëzim prostitucioni. Vajza, lindur dhe banuese në fshatin Vërtop të rrethit të Beratit, ka shkuar dje në polici dhe ka ngritur akuzën ndaj ish të dashurit të saj, duke kërkuar ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore. Në denoncimin e saj, vajza ka pohuar se dy vite më parë ishte shfrytëzuar si prostitutë në Belgjikë. Sipas denoncimit të saj, ajo ishte nisur me Ilia Kotiun, pas një lidhjeje disamujore mes tyre. Ata kishin vendosur të jetonin në Belgjikë, kohë gjatë së cilës vajza është detyruar të punojë si prostitutë pa dëshirën e saj. Ajo ka pohuar se menjëherë pasi kishin mbërritur në Belgjikë, i dashuri e kishte detyruar të punojë si prostitutë. Kjo gjë ka vazhduar disa muaj, deri në momentin kur ajo është ndaluar nga policia belge si emigrante e paligjshme. Ndërsa vajza është kthyer pranë familjes së saj në fshatin e lindjes, nuk ka mundur të komunikojë më me të dashurin, i cili, sipas saj, kishte vendosur të vazhdonte jetën në shtetin belg. Ai nuk ka dashur të kthehet për ta vazhduar lidhjen me vajzën dhe ka ndërprerë me të çdo lloj komunikimi. Vetëm disa muaj më parë, vajza ka mundur të mësojë se ish i dashuri i saj është kthyer pranë qytetit të Poliçanit. Ndonëse është përpjekur sërish që të komunikojë me 36-vjeçarin, ai nuk ka pranuar që historia e tyre të vazhdojë. Vetëm pas refuzimit, vajza ka vendosur të bëjë denoncimin për shfrytëzim prostitucioni, që është marrë parasysh nga policia e Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›