E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, detyrën ndaj Skënderbeut

Ndërsa të gjithë shohin tri skuadrat kryeqytetase si pretendente për titullin kampion, një tjetër ekip ka pasur një rritje të ndjeshme në fillimin e fazës së dytë, Elbasani i drejtuar nga Krenar Alimehmeti që me rezultatet e arritura është ngjitur në vendin e katërt. Verdheblutë kanë marrë dje një fitore të rëndësishme në transfertën e vështirë përballë Skënderbeut, ku ka mjaftuar goli mbrojtësit Karçev për të siguruar tri pikët. Vështirësia më e madhe për elbasanasit nuk ka qenë skuadra korçare, por kushtet e papërshtatshme atmosferike, ku përveç ngricave të dëborës, edhe mjegulla ka shqetësuar skuadrat gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Megjithatë, verdheblutë kanë provuar që në fillimin e takimit që të gjejnë një gol të shpejtë, falë depërtimeve të Nuhiut, i cili vë në vështirësi disa herë Llapanjin me gjuajtjet e tij. Skënderbeu mendon më shumë të mbrohet, duke shfrytëzuar vetëm kundërzbritjet e Ngjelës, goleadorit korçar, por ky i fundit nuk mund të çajë mes shumë fanellave të mbrojtësve elbasanas që nuk i ndahen në asnjë moment. Pavarësisht dominimit të elbasanasve në pjesën e parë, rezultati nuk ndryshon dhe skuadrat shkojnë në pushimin e ndeshjes me rezultatin 0-0. Por që në fillimin e pjesës së dytë, Elbasani gjen golin, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi. Është mbrojtësi Karçev, i ardhur në ndihmë të sulmit, ai që devijon topin në portën korçare, duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Verdheblutë kanë mundësi të dyfishojnë shifrat pak minuta më vonë me anë të Bejzades, por sulmuesi gabon para portës, duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Me kalimin e minutave, Elbasani mendon më shumë për mbrojtjen dhe ia lë iniciativën Skënderbeut që dominon mesfushën. Por korçarët e kanë të vështirë të gjejnë të çara në mbrojtjen e ngjeshur të miqve, duke mos arritur të krijojnë shumë raste para portës së Likës, ky i fundit kontrollon mirë çdo tentativë nga distanca të korçarëve, duke arritur të ruajë deri në vërshëllimën përfundimtare fitoren minimale të skuadrës së tij. Me këto tri pikë, Elbasani ngjitet në vendin e katërt, vetëm 7 pikë larg Dinamos kryesuese, duke e parë veten mes pretendentëve për titull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›