Radio bashkon gjeneratat, në Ditën Botërore të Radios, nxënës të shkollave njihen me ambientet e Radio Tiranës

Dita Botërore e Radios bashkon gjeneratat. Nxënës të shkollës ‘‘Petro Nini Luarasi‘‘ zgjodhën të vizitonin ambientet e radios së parë në Shqipëri, Radio Tiranën. Të shoqëruar nga mësueset e tyre mes emocioneve ata rrëfejnë këtë eksperiencë.
“Patëm shumë përvojë të bukur. Nuk e prisja kështu, e kisha menduar ndryshe”, tha një nxënëse.
“E kisha menduar shumë më ndryshe, por ishte shumë më bukur dhe magjepsëse sesa e kisha imagjinuar. Për shkak se ne vetëm e dëgjojmë, nuk mendoja se do t’i kishin dhënë kaq rëndësi ambientit”, u shpreh një tjetër.
Gjatë improvizimeve mes të këtyre të rinjve zbulohen edhe zëra që premtojnë.
Një tjetër aktivitet nga bashkia theksoi rëndësinë e kësaj dite me një tjetër gjeneratë për të cilët radio shënjoi jetët e tyre.
“Fillova si regjisor në redaksinë e fëmijëve dhe rinisë, me radiodramatizimet, zura vendin e Reshat Arbanës dhe vazhdova deri në vitet ’80, më pas kalova te redaksia e kulturës. Nuk e dija që një hyrje fare rastësore do të bëhej shtëpia ime dhe më dukej se njihja më mirë mjediset e radios sesa shtëpinë time”
“Lidhja me radion është pak fragmentare. E kam filluar me një radio lokale, më pas me Radio Kukësin. Radio ka një legjendë që është Vera Zhej”
“Radio më rriti, më burrëroi dhe më ka bërë atë që jam sot, por është talenti ai që e zhvillon nivelin dhe anën profesionale të një mediumi”
Krah për krah me zhvillimet e teknologjisë, radio vijon t’i rezistojë kohës në ruajtjen e trinomit informim, edukim dhe argëtim.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/