E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Kamza shembull rrezatues i PS-së, gratë dhe vajzat përmbytën realitetin e zymtë të asaj zone

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot gjatë takimit me gratë dhe vajzat socialiste se, Kamza është pasqyra e një realiteti komplet të ri, ku falë afrimit, pranimit, mobilizimit në numra, por edhe cilësi shembullore të grave dhe vajzave të Kamzës, PS ka krijuar vlerën e shtuar sociale që ka përmbysur realitetin e zymtë të asaj zone, që deri dje, sipas Kryeministrit, ishte shëmbëlltyra triumfale e “kënetës” në çdo drejtim.

Kryeministri Rama e bëri këtë deklaratë nga takimi “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030” që i paraprin çeljes zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

“Një shembull unë dua ta sjell. Isha së fundmi në celulën elektorale të Kamzës dhe si gjithnjë kur shkoj atje, dola me shumë energji pozitive dhe në radhë të parë, sepse PS e Kamzës është kthyer në një vatër të madhe kulture dhe organizative, ku për ata që nuk e dinë dhe e shohin nga larg duket sikur është zona ku udhëheq Rakip “pasha”, por ku në fakt tonin e japin gratë dhe vajzat”, tha Rama.

“Dhe nuk është e rastit sot që këtu janë tri shoqe dhe një shok nga Kamza dhe më shumë akoma edhe deputetja më e re e të gjithë listës sonë për 11 majin është një 20-vjeçare e Forumit Rinor të Kamzës. Kjo për të gjithë ata që e kanë idenë se me çfarë lidhej fjala Kamëz para disa vitesh e jo më për ne që ka çuar puna, detyra në rrugët qorre të Kamzës asokohe është diçka që nuk mund të imagjinohej”, pohoi Kryeministri.

Sipas kreut të PS, Kamza nuk një rast simbolik, por pasqyra e një realiteti komplet të ri, madje Rama theksoi se kjo jo vetëm që është e imagjinueshme, por është e prekshme, reale dhe e detyrueshme për të tjerët që të marrin Kamzën si një shembull rrezatues të fuqisë së kësaj force politike.

“Dhe nëse deri dje mund të dukej një mrekulli e parealizueshme në praktikë, është bërë reale pikërisht në Kamëz, në Kamzën e burgosur me dekada, brenda mureve të një patriarkalizmi asfiksues. Ju, gratë dhe vajzat e PS, duhet të jeni më të bindura se çdokush tjetër se nuk ka pikë, nuk ka mal, luginë, qendër, periferi në territorin e 28 mijë kilometrave katrorë të Shqipërisë ku nuk mund të ndizet me të gjithë forcën e vet drita e barazisë gjinore që e ka bërë PS-në e Kamzës jo një skuadër fituese, por një skuadër kampione”, tha Rama, ndërsa theksoi se “ajo që gratë dhe vajzat mund të sjellin për Shqipërinë përmes PS-së është një vlerë e shtuar, shumë speciale që me gjithë dëshirën e madhe, burrat dhe djemtë nuk e krijojnë dot pa gratë dhe vajzat”.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›