Rama: Katër me zero në Kavajë mes PS-së dhe “kënetës madhështore”

TIRANË, 11 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, i konsideroi sot primaret e Partisë Demokratike si farsë dhe një spektakël bizantin hipokrizie politike.
Në një takim me gratë dhe vajzat e PS-së, Rama solli në vëmendje procesin e primareve të organizuara në Kavajë, ku ai që në fakt rezultoi si fituesi i primareve të gjithë qarkut të Tiranës dhe besoi te primaret përfundoi duke u bluar me zorrët e “kënetës”.
Ndërkohë, Rama tha se Partia Socialiste i ka dhënë atij qyteti dy deputete në listën e mbyllur, kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali dhe zv/ministren e Turizmit dhe Mjedisit Ilva Gjuzin dhe dy kandidatë burra, Pandeli Majkon dhe një djalë Kavaje. “Katër me zero është niveli i vlerësimit dhe respektit për Kavajën, vlerësim dhe respekt mes PS-së dhe “kënetës madhështore””, shtoi Rama.
Kryeministri foli po ashtu për bashkimin e demokratëve me Partinë Socialiste, siç ishte rasti i Vlorës.
“Nuk është rastësi dhe as rast i veçuar i një momenti elektoral, ndërkohë që gratë dhe vajzat e kampit tjetër i janë bashkuar disa njësive tona elektorale edhe në tre apo katër qarqe të tjera. I falënderoj dhe i siguroj se nuk do të bëhen kurrë pishman. Falënderoj forumin rinor të PD-së së Vlorës ku kryetarja e Forumit dhe nënkryetarja e Rinisë Demokratike në shkallë vendi hodhi një hap shumë kurajoz të lëvizjes së gjithë forumit në krahun tonë, jo për të ndryshuar bindjen e tyre, por për ta vendosur Vlorën dhe Shqipërinë në BE, për të zgjedhur mbi kënetën dhe veten e tyre duke braktisur kënetën, ku praktikisht u mbytën në mënyrën më të pabesë të gjithë fituesit më të sinqertë të farsës së primareve. Ato primare janë një spektakël bizantin hipokrizie politike që të kujton ‘Komisionin e Festës’ së Kadaresë”, tha Rama.
/r.e/ /a.g/