Rama: Plan negociatash me Bashkimin Evropian, i mbyllim në 2027-ën

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste pohoi sot gjatë përgjigjeve të drejtpërdrejta në pyetjet e adresuara në platformat sociale, se gjatë 12 viteve ka qenë duke punuar kudo, me shqiptarët drejt Bashkimit Evropian, drejt një botë të re dhe një të ardhmeje që do të jetë e tashmja e përditshme e shqiptarëve dhe përfundimisht larg së shkuarës.
Kryeministri ju përgjigj kërkesës së një komentuesi që i kërkonte të dilte në një debat publik me kreun e PD-së, Sali Berisha, ndërsa Rama tha se “ai është në rrëshqitje e sipër, çfarë debati të bëj”.
“Ky bufi do të mundi ty që ofendon shqiptarët”, shkruan një tjetër qytetar në platformat sociale, ndërsa Kryeministri në përgjigjen e tij shprehet se nuk i ofendon shqiptarët. “Këtë ma thonë vetëm çyrykët. Kush mendon që bufi i kënetës dhe këneta është rruga për Shqipërinë, ka një problem me veten. Këtë e them, nuk është ofendim i shqiptarëve, është opinioni im”, tha Rama.
Komentuesi i radhës i shkruan Kryeministrit në rubrikën “Sy m’sy” se nëse ai nuk largohet nga qeverisja, shqiptarët duhet ta harrojnë Evropën, sepse Evropa nuk e pranon vendin tonë nëse nuk zhduket korrupsioni.
Kreu i ekzekutivit nënvizoi faktin se Evropa e ka dhënë planin, në vitin 2027 mbyllen negociatat dhe planin ia ka dhënë qeverisë shqiptare, ndërsa janë 1000 persona në Bruksel dhe 1000 të tjerë të angazhuar këtu për çështjen e negociatave.
Një tjetër komentues, shprehet se sa herë ka zgjedhje lajmërohen projekte të mëdha, ndërkohë që sa mbarojnë zgjedhjet nuk realizohen as 5% të tyre.
“Të gjitha projektet kanë rrugën e tyre, të gjitha realizohen, nuk bëjmë nga këto hiç fare. Ka qëlluar që ka mbaruar studimi i hekurudhës kuqezi, po e kemi prezantuar bashkë me qeverinë e Kosovës, por këto janë punë që vazhdojnë. E ke në gjithë historikun e Facebook-ut tim, ditë e diel, e shtunë, ditë jave, muaj vere, dimri, zgjedhje jo zgjedhje është e njëjta punë që vazhdon”, pohoi Rama, ndërsa në mbyllje të komunikimit të tij tha se “edhe sondazhi i Donald Trump e dinte qartësisht që në 11 maj ka vetëm një fitues”. /j.p/