E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria po kthehet në një korridor zhvillimi nga veriu në jug

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se porti i ri i Durrësit do të bëhet një prej pikave më të rëndësishme në Mesdhe, një portë e re që lidh Shqipërinë me Europën dhe Europën me Ballkanin.

Në fjalën e mbajtur në “Tirana Economic Forum”, Rama theksoi se “Shqipëria po kthehet në një korridor zhvillimi nga veriu në jug”.

“Po ngrihen aeroporte dhe porte të reja, parqet energjetike po zgjerohen, zonat turistike dhe zonat industriale po marrin formë”, nënvizoi Rama.

Sipas Kreut të Qeverisë, Shqipëria ka një rritje që nuk vjen prej sloganeve, por prej reformave.

“Ne kemi krijuar një prej regjimeve të taksave më të mira, me taksë zero për bizneset e vogla deri në vitin 2029. Ky është një mesazh i qartë për shumë e shumë sipërmarrës që po rrisin aktivitetin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se shteti është partneri dhe jo barra e tyre.

Ndërkohë, Rama tha se me shtrirjen e digjitalizimit në këtë sektor do të ketë më shumë transparencë për biznesin, më pak mundësi për ryshfete. “Ky është shteti që ne po ndërtojmë, i thjesht dhe i efektshëm”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›