E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidink mendon lamtumirën: Mund të dal në pension

Trajneri i Rusisë, Gus Hidink, ka lënë të kuptohet se drejtimi i kësaj kombëtareje në Botërorin 2010 mund të jetë puna e tij e fundit në stolin e një skuadre. "Unë mund të braktis trajnimin dhe të marr një rol drejtues në një klub apo kombëtare pas vitit 2010", tregoi tekniku holandez. 61-vjeçari pranoi një rinovim të kontratës së tij ekzistuese gjatë vitit të kaluar, duke vendosur që të drejtojë Rusinë, jo vetëm gjatë fazës finale të EURO 2008, por edhe në eliminatorët e Botërorit 2010. "Nëse deri në përfundim të kontratës nuk do të kthehem në një plak xheloz, edhe mund të vazhdoj punën. Aktualisht unë po argëtohem me punën që po bëj. Kam marrë shumë energji pozitiv,e duke punuar me të rinjtë, duke i mësuar atyre disa gjëra. Ky ka qenë motivim më se i mjaftueshëm deri tani. Më është kërkuar nga FIFA dhe UEFA të flas në seminaret e tyre, duke bërë referate para trajnerëve të tjerë. Kjo më duket një mënyrë shumë e mirë për të shkëmbyer ide dhe për të qenë gjithmonë në dijeni të ndryshimeve të reja teknike dhe taktike në futboll", u shpreh Hidink. Holandezi drejtoi përfaqësuesen e vendlindjes drejt gjysmëfinaleve të Botërorit në vitin 1998, ndërsa arriti këtë fazë edhe nën drejtimin e Koresë së Jugut katër vjet më vonë. Në Botërorin e vitit 2006 ku ai drejtoi Australinë, u ndal në 1/16 vetëm nga Italia fituese e turneut, por vetëm falë një penalltie të dyshimtë në minutën e fundit. "E vetmja gjë që mund të them me siguri është se në dy vitet e ardhshme do të jem në drejtimin e Rusisë. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas", përfundoi tekniku holandez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›