Reali pranon naivitetin: Pësuam gol si 4-vjeçarë
Humbja 1-0 në fushën e tyre me Getafen ka sjellë edhe zemërimin e futbollistëve të Realit të Madridit, të cilët këtë radhë e kanë me veten dhe jo me kundërshtarin. Roben mendoi se kishte shënuar golin e avantazhit në mesin e pjesës së dytë, por ndërsa shokët e tij po shkonin të festonin poshtë tifozëve, vijërojtësi sinjalizoi për pozicion jashtë loje të Raul dhe goli i anulua. Getafe përfitoi nga pavëmendja, duke nisur shpejt lojën për të shënuar një gol në kundërsulm, që i gjeti të papërgatitur madrilenët, duke marrë tri pikë shumë të çuditshme në "Santiago Bernabeu". Zemërimi i Gutit ishte shumë i qartë. "Ata kanë shënuar ndaj nesh një gol si në ndeshjet për 4-vjeçarë. Ne nuk mund të humbin ndeshje në këtë mënyrë", deklaroi mesfushori, ndërsa po largohej me kokën ulur nga stadiumi. Me këtë humbje, distanca me Barcelonën ndjekëse është ulur në vetëm 2 pikë dhe trajneri Shuster e kishte parashikuar një gjë të tillë që të shtunën, një ditë para ndeshjes ndaj ish-skuadrës së tij. "Nuk e imagjinoj të zgjohem të hënën në mëngjes, duke e ditur se Barcelona është vetëm dy pikë larg", ishin fjalët profetike të Shuster, i cili la Getafen gjatë verës për të marrë drejtimin e madrilenëve. "Ne humbëm këtë ndeshje nga një incident i vetëm. Nuk kam parë asnjë herë të akordohen gola të tillë", u shpreh i zhgënjyer trajneri gjerman në përfundim të sfidës. Por presidenti i Getafes, Angel Torres, është shfaqur mjaft i lumtur me mënyrën si rrodhën ngjarjet. "Futbolli favorizon më të zgjuarit. Është qesharake të thuash se Reali u mund nga gjyqtari, pasi e gjithë bota e ka parë ndeshjen në televizor", tha ai.