E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon biznesi: Qeveria të ndërhyjë në treg

Çmimet i vendos tregu, por qeveria duhet të vendosë rregullat e tregut. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (DHTI) në Fier ka reaguar dje në lidhje me rritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore, duke kërkuar nga strukturat shtetërore të ndërhyjnë për të mbajtur nën kontroll situatën

Kryetari i DHTI-së në Fier, Shezai Çobo, deklaron se në treg po abuzohet. Sipas tij, jo të gjitha lëvizjet që po ndodhin ditët e fundit janë diktuar nga bursat ndërkombëtare dhe nga rritja e kostove për shkak të shtrenjtimit të energjisë. "Kjo është periudha më e rëndë për rritjen e çmimeve. Krahasuar me vitet e shkuara apo edhe me sezone të veçanta, duhet pranuar se këtë rast po vendosen çmime tepër të larta nga tregtarët. Këta të fundit, jashtë kontrollit të strukturave kompetente po vendosin çmime sipas preferencave të tyre. Janë tregtarët ata që po abuzojnë dhe për frenimin e tyre duhet ndërhyrja e qeverisë. Nuk mund të pranohet nga asnjë grup interesi, që të çmimi i mallrave nga tregtarët", tha Shezai Çobo në një prononcim për gazetën "Shqip". Sipas tij, për disa artikuj të rëndësishëm në treg, shteti duhet të diktojë normën e fitimit.

Deklarata e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Fierit vjen pas qëndrimit të vakët të qeverisë në lidhje me valën e fundit të rritjes së çmimeve. Në një kohë kur kreu i Financave deklaron se "Çmimet i vendos tregu", një përfaqësues i rëndësishëm i biznesit kërkon ndërhyrje në treg, edhe pse kjo bie ndesh me vetë interesat e biznesmenëve.

Deklarata e fortë e kreut të biznesmenëve të Fierit vjen pikërisht në ditën kur në këtë qytet u afishua çmimi i ri prej 120 lekësh i bukës masive. Në tregjet dhe dyqanet e Fierit, vetëm peshku nuk ka pësuar rritje të çmimit. Të gjithë artikujt e tjerë ushqimorë të konsumit të përditshëm janë rritur gjatë një jave deri në 40 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›