E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekordi, buka në Sarandë do të shitet 130 lekë

Në gushtin e vitit të kaluar, për herë të parë në Sarandë, buka u ble me 100 lekë. Tani që kudo flitet për ta shtrenjtuar edhe me 20 lekë të tjera, në Sarandë sërish mendohet si të mbahet "rekordi" i vendosur. Dhe kudo flitet me shifra të ndërmjetme 120-130, por më e mundshme është që çmimi të kapë shifrën e dytë dhe jo të parën. Në këto ditë të ftohta shkurti, familjarët u afrohen rafteve të dyqaneve dhe përballen me çmime që në qytete të tjera të vendit as mund të imagjinohen. Fjala vjen, një shishe vaj "Olim" e blen me 250 lekë, ndërkohë që vaji i ullirit këto ditë te dera e fabrikës në fshatrat e Bregdetit kapi 800 lekëshin për litër. Po kështu, një pako makarona "Misko" shkoi 70 lekë, për të vazhduar me pakon e miellit që gjithashtu u shtrenjtua, me djathin e bardhë që e gjen vetëm me 600 lek/kg nga 550 që ishte etj., etj.

Buka është produkti i çdo tavoline, për të cilin Saranda nuk e diskuton mbajtjen e rekordit në çmim. Është vetëm punë ditësh ekzekutimi i tij, pasi shoqata e bukëpjekësve të rajonit të Sarandës dhe Delvinës, nuk do që të dalë "e pavarur" nga ajo kombëtare. Në gusht 2007, nisi ndryshimi i çmimit nga 800 në 1000 lekë/kg. kur çmimi i miellit u rrit nga 33 në 46 lekë/kg. Po tani, që mielli nisi të shitet me 66 lekë/kg, nuk mund të mbahet më këmbë biznesi, pretendojnë 16 linja të prodhimit të bukës, nga të cilat 10 në qytetin e Sarandës, dy në atë të Delvinës dhe 4 në zona rurale.

Luftar Hasanllari, prodhues buke, që është njëherësh edhe kryetar i shoqatës së tyre për rajonin Sarandë-Delvinë, thotë për "Shqip" se rritje ka pasur edhe kohë më parë, por pavarësisht kësaj, për 3 muaj çmimi nuk u lëviz. Në javën e parë të shkurtit, shtrenjtimi i miellit arriti kulmin, shtrenjtimi i bukës shihet si rrugëdalja e vetme. Synohet 1200-1300 lekë kilogrami i bukës, pasi bëhet analiza e të gjithë elementëve të kostos. Saranda e merr miellin në Tiranë. E megjithëkëtë, shpenzimet që bëhen për transportin nga 600 km distancë, nuk reflektojnë në çmim, thonë biznesmenët e bukës, të cilët tregojnë se kjo përballohet nga zbritja e fitimit. Ndër elementët ekonomikë që prodhuesit e bukës përmendin se kanë bërë të pashmangshëm shtrenjtimin, thonë se janë edhe nafta, të cilën e marrin tani me 65 lekë litrin, nga 30 lekë më parë, si dhe vaji që ka vajtur në 250 lekë litri. Kësaj i shtojnë edhe koston për qese, pasi në 90 për qind të sasisë buka tregtohet e paketuar në qese. Për furrtarët kjo është absurde, pasi, sipas tyre, është një tregtim në kushte antihigjienike dhe të dëmshme për shëndetin, por të tilla janë kërkesat.

Sa i takon rritjes së fshehtë që i bëhet çmimit të bukës, duke "ngrënë" në peshë, kryetari i shoqatës, Hasanllari, thotë se gabimisht konsumatori e blen bukën me copë dhe jo me peshë. Ai tregon se prodhuesi mund ta fryjë bukën pa pasur peshën dhe konsumatori të blejë ajrin. I vetëdijshëm, ai pohon se "Ligji më detyron të vendos afishe për çmimin dhe peshën, por ne duam të ndërgjegjësojmë edhe konsumatorin, që të mos zhgënjehet nesër".

Biznesmenët e bukës e quajnë rëndim në kosto edhe për faktin që shitet në kioska e në supermarkete. Përveç që quhet jonormale, pasi në to mungojnë kushtet higjienike të ruajtjes së këtij produkti ushqimor, abuzohet edhe duke e shitur bukën e prodhuar me solar, për bukë të prodhuar me dru.

Bukëpjekësit sarandjotë janë të vendosur ta bëjnë rritjen e pritshme të çmimit të bukës, pa u tërhequr as nga presionet që ata thonë se kanë nisur t‘u bëhen nga organet tatimore, duke shpeshtuar kontrollet etj. "Problemi është i zgjidhur, pasi ne tatohemi sipas të ardhurave dhe jo në mënyrë fikse. Kështu që shtimi i të ardhurave do të na shtojë edhe masën e tatimit, që ne do ta përballojmë", thonë ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›