Rroga mban larg Adrianon nga San Paolo
Klubi brazilian i San Paolos duket se ka tërhequr kërkesën për të huazuar sulmuesin brazilian, Adriano, deri në qershor. Drejtuesit e kësaj skuadre kanë konfirmuar se detyra e tyre kryesore është të kthejnë lojtarin tek Interi në formën më të mirë. "Nuk po negociojmë me Interin. Akordi ynë me këtë skuadër është të kthejmë Adrinon në formë në Itali gjatë muajit janar. Adriano është i lumtur, i gatshëm të punojë dhe të luajë mirë", u shpreh dje mjeku dhe njëkohësisht drejtuesi i San Paolos, Marko Aurelio Kunja. Ajo që pengon marrëveshjen duket se është rroga shumë e lartë e futbollistit, që nuk mund të përballohet nga skuadra braziliane. "Ka dy pengesa për të arritur një marrëveshje, fillimisht duhet bindur Interi për huazimin, e më pas është një rrogë që nuk e përballojmë dot", shpjegoi Kunja.