Sejdiu: “Mali i Zi dhe Maqedonia do ta njohin shpejt Kosovën”
Maqedonia dhe Mali i Zi do të njohin pavarësinë e Kosovës shumë shpejt. Këto kanë qenë premtimet që ka marrë presidenti kosovar nga delegacioni malazez dhe maqedonas në Nju Jork. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm Skënder Hyseni janë takuar me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe ministrin e jashtëm të këtij vendi Millan Roçen, si dhe presidentin e Maqedonisë Branko Cërvenkovski. Në takimin me presidentin dhe me ministrin e Jashtëm malazez, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në shumë plane, duke filluar nga ai i sigurisë, ekonomisë, por edhe në atë politik. Duke folur për rëndësinë e përmbylljes së ciklit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga fqinjët, presidenti Sejdiu dhe ministri Hyseni, edhe një herë u fokusuan te rëndësia që ka për Kosovën njohja nga Mali i Zi. Po ashtu, gjatë takimit, pala kosovare theksoi nevojën e bllokimit të rezolutës serbe për Kosovën. Kryetari Vujanoviç dhe ministri i Jashtëm Roçen e siguruan presidentin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës se Mali i Zi do të marrë vendimin lidhur me njohjen e Kosovës duke pasur parasysh interesat e veta nacionale. Ata siguruan se dita e vendimit po afrohet. Ndërkaq, në takimin me presidentin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërfqinjësore ndërmjet dy vendeve. Cërvenkovski çmoi lart bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Maqedonisë dhe u angazhua për thellimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat. Ai bëri të ditur se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia do të merret shpejt.
25 Shtator 2008