Nju Jork, Sarkozi: “Njohja e Kosovës, pozitive për rajonin”
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka porositur Serbinë se sa më shumë që të shtyhet njohja e pavarësisë së Kosovës, aq më keq do të jetë për situatën në gjithë rajonin. “Çdo shtyrje e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk do të ndikonte për të mirën e paqes dhe të stabilitetit në rajon”,- tha Sarkozi në një konferencë shtypi në selinë e OKB-së në Nju Jork. Kreu i Francës i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjes se cili ishte qëndrimi i shtetit të tij karshi kërkesës së Beogradit për dërgimin e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Dua të theksoj se Franca ka qenë një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës”,- ka thënë Sarkozi. Ai ka shtuar se Serbia duhet ta ketë në mendje se edhe ajo e ka vendin në Bashkimin Europian. Ndërkohë, presidenti serb Boris Tadiç në fjalën e tij të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së që ta mbështesin Serbinë për të dënuar atë që ai e quajti shpallje të njëanshme dhe të paligjshme të pavarësisë së Kosovës. “Deklarimi i njëanshëm i pavarësisë së Kosovës është një sfidë për të gjithë sistemin e OKB-së, tha Tadiç në Nju Jork. Kjo do të thotë, që vendet antare të OKB-së mund të ndahen kundër vullnetit të tyre, tha ai duke tërhequr vëmendjen për rrezikun e shkallëzimit të konflikteve të tjera ekszituese. Tadiç nënvizoi, se Gjykata Ndërkombëtare duhet të sqarojë çështjen: “A është shpallja e pavarësisë në mënyrë të njëanshme nga institucionet provizore te vetëqevrisjes së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”. Të votohet kundër rezolutës së Serbisë, sipas Tadiçit do të thotë “që të mohohet tani apo në të ardhmen e drejta e ndonjë vendi për të kërkuar rekursin judurik në sistemin e OKB-së”. Në mbështjetje të kërkesës së Serbisë është shprehur Finlanda e cila nuk do të votojë kundër nismës që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta vlerësojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ka thënë ministri i Jashtëm i këtij vendi, Aleksander Stub, i cili është edhe kryesues i radhës i OSBE-së. “Pozicioni finlandez është shumë i qartë: ne nuk do të votojmë kundër. Ne i mbështesim të gjitha gjykatat ndërkombëtare, dhe do të ishte kundër parimeve tona që t’ia mohojmë Serbisë këtë të drejtë. Nëse duam të kemi pozicion të përbashkët të BE-së, mënyra e vetme për ta bërë këtë është përmers abstenimit”,- ka thënë Stubb. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini është shprehur pro abstenimit lidhur me nismën serbe në Kombet e Bashkuara. “Ne e respektojmë vendimin e autoriteteve serbe që të kërkohet mendim nga Gjykata Ndërkombëtare, por ne do të duhet të vendosim në nivel të BE-së, dhe të arrijmë qëndrim të përbashkët të Bashkimit Europian. Shpresoj se kjo është e mundur. Qëndrimi im personal është në favor të abstenimit”,- ka thënë Fratini.
25 Shtator 2008