E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, listat me fituesit e fazës së dytë ende të papërfunduara



Universitetet sot do të duhet të afishonin listat përfundimtare të fituesve. Ankthit të mijëra maturantëve, të cilët me padurim presim të dinë nëse do të jenë apo jo fitues në listat përfundimtare, Ministria e Arsimit i është përgjigjur pa asnjë shpjegim që, listat nuk janë ende gati.
Megjithëse afati për shpalljen e fituesve të fazës së dytë ka kaluar, MASH-i nuk ka bërë të ditur asnjë datë se kur do të bëhet shpallja zyrtare e tyre. Menjëherë pas shpalljes së fituesve të fazës së parë për në universitete, Ministria e Arsimit deklaroi se listat përfundimtare të fituesve në formë të shkruar dhe elektronike do t’u dorëzohen universiteteve publike të vendit në datën 24 shtator. Ndërkohë që sot, universitetet duhet të kishin afishuar listat në vende të dukshme në ambientet e fakulteteve përkatëse. Fill pas rishpërndarjes së re të fituesve do të niste edhe faza e dytë e regjistrimit që ishte ajo e regjistrimit përfundimtar. Nga llogaritjet paraprake deri tani dihet që në fakultetet e vendit janë rreth 3 mijë vende të lira. Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht, dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Ndërsa kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›