E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligj për pensionet e minatorëve

Një grup deputetësh të Partisë Socialiste i propozuan dje Kuvendit të Shqipërisë një projektligj, në të cilin synohet të rriten pagat e minatorëve pensionistë. Deputetët Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Rapush Tola, Besnik Dervishi, Alfred Dalipi, Taulant Balla e Qemal Minxhozi, janë shprehur se kjo nismë ligjore vjen për të përmirësuar këtë situatë. "Kemi menduar të bëjmë këtë shtesë në ligj, e cila përcakton një dysheme për shumën mujore të përfitimit", sqaroi Braçe. Duke menduar se kjo masë përfitimi nuk mund të jetë më e vogël se pensioni bazë i pleqërisë në qytet. "Nga ky ligj për një trajtim të veçantë përfitojnë aktualisht jo më shumë se 4000 persona. Masa e përfitimit arrin diku në 6000 lekë të reja në muaj", konstatoi ai. Por socialistët dhanë informacion edhe për faturën financiare që mbart projektligji në fjalë. "Bazuar në të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe llogaritë tona, fatura financiare nuk i kalon të 100 milionë lekët në vit", sqaruan ata. Duke njohur buxhetin e vitit 2008, si dhe disa prej masave fiskale të Qeverisë me impakt në buxhetin e shtetit, socialistët mendojnë se kjo faturë është lehtësisht e përballueshme. "Për shembull, kjo faturë mund të përballohet nga fondet që kursehen nga ulja e përqindjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore", u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar socialist. Sipas tij, buxheti pagoi në vitin 2007, 1200 lekë në muaj për person, më pak kontribute sesa në vitin 2006 dhe vetëm me këtë shumë mbulohet rritja me 20% të masës së përfitimit. Deputetët e selisë rozë theksuan faktin se kjo skemë është shteruese, në të nuk shtohen më përfitues, përkundrazi përfituesit pakësohen çdo vit, pasi kalojnë në skemën e pensionit të pleqërisë. Kjo është ndër nismat e pakta që socialistët kanë konkretizuar që pas kalimit të tyre në opozitë. Por natyrisht shumica në pushtet nuk ka pasur një qëndrim mbështetës për ato çka janë propozuar deri më tani. Nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e mazhorancës për këtë projektligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›