"Reforma zgjedhore, opozita me një draft"
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon mbledhjen e tryezës së opozitës, me qëllim unifikimin e qëndrimit për reformën zgjedhore. Kjo thirrje është lëshuar ditët e fundit edhe nga kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Sakaq, socialistët kanë bërë publike parimet mbi të cilat do të ndërtohet puna në Komisionin e Reformës. Ndërkohë, burime nga selia rozë thonë se shumë shpejt do të mblidhet tryeza e kryetarëve të opozitës.
Kërkesa
Deputeti Ndre Legisi vlerësoi se të majtët duhet të diskutojnë paraprakisht për përmirësimin e ligjit elektoral në Shqipëri. "Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur e hapur për të diskutuar brenda së majtës dhe për të dalë me një propozim për ligjin zgjedhor", theksoi Legisi. Ai pranoi se mbështet propozimin e Partisë Demokracia Sociale, që për një vendimmarrje kaq të rëndësishme siç është reforma zgjedhore, të mblidhet tryeza e së majtës, ku aleatët të diskutojnë paraprakisht. "LSI-ja nuk pretendon që në çdo hap të reformës elektorale të paraqesim të njëjtin dokument me PS-në", nënvizoi ai. Ndërsa shtoi se LSI-ja ka paraqitur një dokument të plotë me sugjerime për reformën në fjalë, të cilat synojnë të përjashtojnë ato fenomene negative që kanë deformuar proceset elektorale, si "Dushku", problemet në komisionet, si dhe përcaktimi i pragut elektoral. Legisi argumenton se ekziston gatishmëria për të rritur pragun elektoral, por ne nuk kemi marrë përsipër që në funksion të interesave që kanë dy partitë e mëdha të bëhemi flamurtarë të këtij ndryshimi.
Socialistët
Paraprakisht, selia rozë ka gati parimet mbi të cilat do të negociohet në tryezën e reformës. Sa i takon sistemit zgjedhor parashikohet që ai jetë i tillë, që do të eliminojë fenomenin "Dushk", duke aplikuar një sistem proporcional të pastër ose proporcional rajonal. Për çështjen e sistemit zgjedhor, të gjitha partitë aleate opozitare janë shprehur për një sistem zgjedhor proporcional të personalizuar, gjë që e sanksionuan edhe në një kërkesë dërguar komisionit të posaçëm zgjedhor. Por një nga pikat e debatuara të reformës zgjedhore vazhdon të mbetet pragu elektoral, që lejon hyrjen e partive në Kuvend. Socialistët kërkojnë të mos shkohet më poshtë se 2.5%, ndërsa rritja mund të negociohet. PS-ja kërkon lista të kandidatëve partiakë të mbyllura, të cilat do të caktohen nga partia dhe jo në bazë të votave që do të marrin kandidatët. Kjo pikë, e cila është edhe një nga rekomandimet e ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias, bie ndesh me kërkesën e partive të vogla, të cilat kërkojnë lista të hapura, ku deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë të jenë ata që do të mbledhin më shumë vota në zonat e tyre. Partia më e madhe e opozitës është e vendosur të mos pranojë të shkohet më në zgjedhje pa karta identiteti. Ashtu sikurse është e vendosur që të mos pranojë tjetër veçse regjistrin e zgjedhësve të formuluar nga Regjistri Themeltar i Shtetasve.