"Tirana në pika", ambiente çlodhëse në blloqe banimi
Hapësirat publike të bllokut të banimit "Artan Lenja" në kryeqytet do të rigjenerohen duke u shndërruar në territore me
karakter çlodhës, rekreativ, funksional, në mbështetje të banimit e më gjerë, në vende simbol apo "landmark" për bllokun e banimit, lagjen dhe qytetin. Punimet synojnë krijimin e ambienteve çlodhëse, fushave të basketbollit, këndeve të lojërave për fëmijë dhe këndeve çlodhëse për të moshuarit. Në lulishte parashikohet mbjellja e rreth 187 pemëve të reja, si dhe shkurreve dekorative. Është ky projekti më i fundit i lançuar nga ana e drejtuesve të Bashkisë së Tiranës. "Rikualifikimi Urban" në bllokun e banimit "Artan Lenja" është pjesë e projektit të madh "Tirana në Pika", që shtrihet në të gjithë kryeqytetin, sqarojnë përfaqësuesit e pushtetit vendor. Sipas tyre, projekti në një fazë të dytë do të fokusohet edhe në krijimin e hapësirave të reja publike që aktualisht janë të zbrazëta dhe pronë e shtetit të shpërndara këto në të gjithë qytetin. Për to do të kërkohet një balancë e shpërndarjes në qendër dhe në periferi. Kryebashkiaku Edi Rama, që ishte i pranishëm në nisjen e këtyre punimeve, në bllokun "Artan Lenja", u shpreh se "ky investim synon edhe startin e një nisme të re të Bashkisë së Tiranës në nivelin e hapësirave komunitare, që quhet "Tirana në pika" dhe që nënkupton një ndërhyrje rikualifikuese në blloqet e banimit për të garantuar jo vetëm infrastrukturën rrugore, siç është në këtë bllok ku infrastruktura rrugore është e rindërtuar, por për të garantuar edhe një cilësi të re edhe në të gjitha sipërfaqet e ndërmjetme, duke krijuar kënde për të gjitha moshat dhe njëkohësisht duke rritur përmasën e gjelbër të këtyre blloqeve të banimit". Kryebashkiaku Rama theksoi se "ky është një rast për t‘i ftuar të gjitha komunitetet që të aplikojnë për të marrë pjesë në këtë nismë, duke dhënë një kontribut sado modest, sepse gjëja më e rëndësishme nuk është aspekti financiar, por aspekti i pjesëmarrjes aktive të komunitetit në realizimin dhe më pas mirëmbajtjen e këtyre projekteve të realizuara". Drejtuesit e bashkisë pohojnë se projekti "Tirana në pika" do të zhvillojë e rigjenerojë hapësirën jo vetëm në dy dimensione, por do të plotësohet edhe me trajtimin e dimensionit të tretë të hapësirës. Trajtimi i fasadave do të bëhet element integral i rigjenerimit, kryesisht në blloqet e banimit, ku impakti social është edhe më i ndjeshëm. Projekti synon në krijimin e pikave të një simbolike të veçantë në qytet, apo në bllokun e banimit, apo "landmarks", me anë të elementëve të ndryshëm artistikë, që do të diferenconin njëra nga tjetra hapësirat e shumta publike të Tiranës dhe do të ndihmonin në leximin dhe perceptimin pozitiv të qytetit.