E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushime në Egjipt për Sarkon dhe Brunin

Nikolas Sarkozi dhe Karla Bruni janë ngjitur në bordin e "Falcon 900" që në hangarët e Aeroportit për të shmangur kështu fotografët. Ashtu siç ishte bërë e ditur më herët, çifti është nisur ditën e Krishtlindjeve, në bordin e një avioni privat, pronë e industrialistit Vinet Bollore, drejt Luksorit, në Egjipt, ku edhe do të kalojnë disa ditë pushimesh para një vizite zyrtare në Kajro. Bashkë me Presidentin francez, është nisur në udhëtim ish-modelja, por edhe nëntë persona të tjerë, thotë një burim nga Elizeu. Dhe në fakt, përveç Karla Brunit, Presidentin duket se e shoqëron e ëma, si edhe një prej të bijve, me të fejuarën. Presidenti dhe personat që e shoqëronin, shton i njëjti burim, janë ngjitur mbi avion, ndërsa ky i fundit ishte ende i ndalur në hangar në mënyrë që të shmangeshin paparacët dhe gazetarët. Ditët e para të udhëtimit, deri më 30 dhjetor, Sarkozi dhe Bruni, do të qëndrojnë në hotelin legjendar "Old Winter Palace", një vend i famshëm ky mbi Nil, në Luksor, për t‘iu drejtuar më tej lokalitetit magjepsës të Sharm el Sheikut. Në Luksor, shefi i Elizeut ka rezervuar një prej gjashtë suitave të hotelit me pesë yje, çmimi i së cilës i kalon 1000 eurot në natë. E ndërkohë, ka sinjale që puna e qindra gazetarëve dhe fotografëve të mbledhur në Luksor, të Egjiptit, për të "spiunuar" Presidentin Nikolas Sarkozi dhe të dashurën e tij të re, Karla Bruni, do të jetë ekstremisht e vështirë. Të hënën mbrëma është vënë nën pranga një gazetar francez që filmonte pjesën ballore të "Old Winter Palace", hotelin e kushtueshëm ku edhe po qëndrojnë Presidenti dhe ish-top modelja. Bashkë me gazetarin është ndaluar edhe kameramani i tij. Ata janë dërguar të dy në komisariat dhe kanë dalë që andej vetëm pas një ore e gjysmë. Por ndërkohë, një numër shumë i madh fotografësh, të guximshëm e të patrembur, janë vendosur në Luksor, me shpresën se do të mund të fiksojnë në aparatet e tyre Sarkozinë përkrah Karla Brunit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›