Rritja e çmimeve të produkteve nuk di të ndalet
Thuajse në të gjithë vendin ka pasur lëvizje të çmimeve në treg, duke përfshirë edhe bukën. Është shtrenjtuar kostoja e jetesës për durrsakët. Me përjashtim të bukës, çmimi i së cilës nuk ka pësuar ende ndryshim, të gjitha ushqimet bazë blihen më shtrenjtë në dyqanet ushqimore dhe supermarkete. Në furrat e bukës së qytetit bregdetar dhe dyqanet që furnizohen prej tyre, çmimet e bukës nuk kanë ndryshuar akoma, por në hipermarkete, çdo lloj buke kushton 5 lekë të reja më shumë. Rritja më e ndjeshme ka qenë ajo e vajit, nga 20-40 lekë të reja për litër, ndërsa orizi dhe sheqeri janë rritur përkatësisht me 10 lekë për kilogram. Ndërkaq, sipas tregtarëve me pakicë, aktualisht çmimi i miellit është rritur me 20 lekë, por pritet që të shkojë deri në 90 lekë për kilogram. Qyteti i Vlorës po përjeton një rritje drastike të çmimeve në përgjithësi. Produktet e bulmetit, që nga kosi, i cili ishte 40 lekë, ka shkuar prej dy muajsh 50 lekë, po ashtu kilja e djathit nga 280 lekë kilogrami që ka qenë para tre muajsh, sot në marketet dhe në treg shitet me 70 lekë më shumë. Edhe një kg gjizë, që shitej me 130 lekë, sot në treg shitet me 200 lekë. Ndërsa për ushqimet, një buxhetori para disa muajsh për të bërë shpenzimet e një jave i duheshin rreth 5 mijë lekë, sot atij do t‘i duhen dyfishi. Sa për bukën ka tre muaj që një kilogram bukë në qytetin e Vlorës shitet me 100 lekë, pasi dhe çmimi i naftës, çmimi i miellit u rritën detyrimisht, edhe buka u shtrenjtua. Nga dje, të gjithë konsumatorët e Elbasanit duhet të paguajnë bukën me 20 lekë më shumë, teksa u drejtohen dyqaneve të bukës. Ndërsa konsumatorët ngrenë problemin pretendues të uljes së peshës së bukës, kur deri tani mësohet se asnjë kontroll nuk është organizuar. Rritja e çmimit të bukës është ndier edhe në qytetin e Korçës. Prej dy ditësh, banorët e këtij qyteti duhet të shpenzojnë më tepër për të blerë një nga produktet më jetikë, siç është buka. Tregtarët kanë pohuar se buka është rritur me 10-20 lekë më shumë. Gati 90% e prodhuesve të bukës e kanë rritur çmimin me 10 lekë të reja për çdo lloj buke. Shkaku i rritjes së këtij çmimi justifikohet nga prodhuesit me rritjen e çmimit të miellit. Ende në Fier buka po shitet me çmimin e përcaktuar katër muaj më parë. Ndërsa po kërcënohet prej prodhuesve të bukës nga dita në ditë, për një rritje çmimi deri në 120 lekë për një bukë, akoma në dyqanet e qytetit dhe të të gjithë rrethit çmimi i saj nuk ka ndryshuar. Abuzimi që denoncohet nëpërmjet tregtarëve të bukës është thellimi i peshës gjithnjë e në ulje të një buke.
Meta në Vlorë
Po ashtu, në një takim, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka thënë se "rritja e çmimeve në përmasa të tilla të frikshme dhe kërcënuese që po shfaqen sidomos për shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, është e pajustifikueshme". Në lidhje me deklarimin se qeveria është e pafuqishme të ndërhyjë tregun, Meta tha se "kjo është një përpjekje e qeverisë për t‘u shfajësuar. Ne e dimë mirë se po të dojë qeveria, ajo mund të ndërhyjë"