E Diel, 1 Nëntor 2026

"Legjenda e Misrit" në shekullin XXI

Bukë! Bukë!

Në shekullin XXI s‘ka hipoteza perëndish, por ka apoteoza buke!

Në vendin e shqiptarëve, ku flitet shqip, nënkupto shkoqur, kryefjala e bisedave është buka (ndër të paktat fjalë me origjinë nga ilirishtja). Thuajse të gjithë punojnë për të siguruar "bukën e gojës" dhe të paktë janë ata që arrijnë e mundin për më tepër. Kaluar mjerimit migjenian. Edhe pse një shekull më vonë, "Legjenda e Misrit" luhet në mes të vendit që aspiron hyrjen në NATO dhe në BE. Në fakt, nga ajo kohë një gjë ka ndryshuar, përbërja e bukës, nga misri është bërë miell. "Bukë!- asht fjala e ditës, asht sinonim i jetës për banorët legjendarë të këtyne maleve të egra". Njësoj dhe tani, plot 100 vjet më vonë. Njësoj të uritur, njësoj të përulur, njësoj të paushqyer. Në një kohë kur niveli i jetesës është ndër më të ulëtit në botë, politikëbërësit zmbrapsen, a thua sikur as ata nuk e hanë më bukën.

Pushtetarë që të kallin tmerrin me tërheqjen plot përulje përballë çmimit të bukës. Nuk i bëjnë dot ballë revanshit të shtrenjtimit të produktit jetik. Dorëzohen pa kushte, duke thënë se nuk ndërhyjnë dot në këtë treg. Ndryshe nga homologët e tyre kroatë, pushtetarët shqiptarë zgjodhën tërheqjen me nder, "duke pranuar disfatën". Ndërsa buka po thyen "rekordet" për nga çmimi e pesha, askush nuk di të thotë se ku do të ndalet. Kjo është të tallesh me bukën.

Afro 10 vjet më parë, një nga "baballarët e kombit" del me një copë letër në dorë përpara kamerave dhe artikulon fjalën e turpshme: "Kemi vetëm shtatë ditë bukë". Në atë kohë të mbrapshtë shqiptarët, përveçse të ruanin nderin dhe kokën, rrëmbyen dhe armët për të ruajtur thasët me miell. Kallashë e pistoleta mbështjellë me miell e krunde. Saçe në zjarr dhe farë për të zënë brumin. Viti 2000 trokiste në derë, ndërsa shqiptarët në magjen me miell mbanin brumin për të nesërmen. Me shtrenjtimin e dritave dhe të drurit iu kthyen prapë dyqaneve e furrave të bukës, porse këtë herë numërojnë më shumë se njëmijëlekëshen me figurën e Ismail Qemalit. "Se shekulli XXI asht shekulli i apoteozës së BUKES ndër foletë e Shqipeve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›