E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrritja ekonomike ne fokus te 2008-es

Raporti i fundit i Bankës Botërore mbi zhvillimet e pritshme në ekonominë botërore për dy vitet e ardhshme na ka bërë optimistë. Në grupin e ekonomive evropiane, të Evropës Qendrore e Lindore apo dhe atyre mesdhetare, Shqipëria, Hungaria dhe Turqia pritet të jenë ekonomitë më dinamike. Konkluzioni i ekspertëve të Bankës Botërore se rritja ekonomike në Shqipëri do të mbetet e lartë edhe gjatë periudhës 2008-2009, duke prekur nivelet 6-6.2% përbën një "certifikatë besimi" dhe garanci për potencialet zhvilluese të ekonomisë shqiptare. Kërkesa e fortë e ekonomisë sonë për mallra dhe shërbime, planifikimi në rritje i investimeve publike, vëmendja më e madhe ndaj krizës energjetike etj., gjykohet se do të përbëjnë "motorin" e zhvillimit për periudhën e ardhshme afatshkurtër.

Por ekspertët evidentojnë dhe disa rreziqe potenciale të tilla si paqëndrueshmëria e tregjeve financiare, goditjet në kursin e këmbimit, rritja e përgjithshme e çmimeve në tregjet botërore, tendenca në rritje e inflacionit, çmimi i naftës dhe energjisë në përgjithësi, gabimet e mundshme në zgjedhjen e politikave dhe instrumenteve ekonomike e financiare nga vende të veçanta etj. Pra, në fund të fundit, përballë faktorëve potencialë pozitivë që natyrisht na favorizojnë dhe mjaft risqeve potenciale negative të ekonomisë botërore qëndrojnë politikat tona të brendshme, reformat strukturore, instrumentet ekonomike e financiare që do privilegjohen, inteligjenca institucionale për të bërë atë që objektivisht duhet dhe jo atë që subjektivisht na pëlqen për momentin apo duam të bëjmë për arsye jo gjithmonë të lidhura me logjikën ekonomiko-financiare e zhvillimin social.

Në mënyrën më lakonike të mundshme, vlera e nivelit të rritjes ekonomike shprehet nga ekonomisti i njohur Ch.Comeliau, sipas të cilit, "jeni politikan i një vendi të varfër?... atëherë bëni përpjekje për rritjen e të ardhurave kombëtare. Vendi juaj ka borxhe të brendshme e të jashtme?... Ju nuk mund t‘i përmbushni obligimet tuaja pa një shtim të rritjes ekonomike. Doni të kuptoni pse Kina dhe India po shfaqen sot si fuqi të mëdha ekonomike?... Përgjigjen mund ta gjeni te performanca e tyre e shkëlqyer në ritmet e rritjes ekonomike. Në vendin tuaj ka varfëri, pabarazi sociale dhe territoriale?... Atëherë bëni përpjekje që ta shtoni madhësinë e "tortës" që duhet të shpërndani. Buxheti publik nuk është asnjëherë i mjaftueshëm për të realizuar kërkesat dhe nevojat tuaja?... Atëherë përmirësoni politikën fiskale dhe rrisni mundësinë e aktiviteteve prodhuese në të gjithë sektorët e ekonomisë. Jeni të shqetësuar nga niveli i lartë i papunësisë?.... Kini durim dhe kuptoni se ndërmarrjet dhe biznesi presin vetëm përmirësimin e koniunkturës së tregut, qëndrueshmërinë dhe transparencën fiskale, si dhe ritmin e rritjes ekonomike për të ta zgjidhur shqetësimin tuaj...".

Nga ana e saj dhe OCDE, në shumë nga studimet dhe raportet e saj kushtuar problemit të rritjes ekonomike evidenton mjaft faktorë e politika thelbësore që "i bëjnë efektive potencialet apo i reduktojnë ndjeshëm ato". Sipas një raporti ku janë analizuar rezultatet dhe faktorët e rritjes ekonomike në 33 vendet anëtare të saj, OCDE nënvizon se politikat e targetuara dhe me objektiva të qarta e të qëndrueshme janë një busull e besueshme për biznesin dhe investimet publike, stabiliteti i institucioneve ekonomike e financiare ul koston e transaksioneve dhe rrit eficencën e sistemit, inflacioni i ulët dhe stabël nxit shumë investimet në sektorin privat, paqëndrueshmëria e çmimeve modifikon strukturën e investimeve në favor të projekteve me më pak risk dhe më pak rentabël, prezenca e madhe dhe imponimi i shtetit dhe qeverisë në ekonomi komprometon rritjen ekonomike, se ndryshimet e shpeshta në sistemin fiskal çorodisin biznesin; se deficitet e larta publike absorbojnë burime të rëndësishme të shpenzimeve publike, të cilat mund të forconin potencialet e rritjes ekonomike, se tregjet financiare të zhvilluara janë një faktor pozitiv për rritjen ekonomike afatgjatë, pasi ato kontribuojnë në alokimin e burimeve drejt aktiviteteve më rentabël, dhe nga ana tjetër favorizojnë ndjeshëm investimet, se thellimi i hapjes tregtare favorizon rritjen ekonomike.

Parë nën këtë këndvështrim, në këtë fillim viti 2008, duhet të jemi më të vëmendshëm në raport me disa nga pyetjet, elementet apo drejtimet kryesore strategjike më me efekt në shfrytëzimin e potencialeve apo minimizimin e risqeve. Së pari, a do ta realizojmë dot rritjen ekonomike në nivelet 6-6.2% në dy vitet e ardhshme, ndërkohë që këtë objektiv të fiksuar nuk e kemi realizuar dot dy vitet e fundit? Së dyti, a jemi të bindur se potencialet e ekonomisë sonë duhet të jenë të limituara deri në këtë nivel rritjeje ekonomike dhe nuk duhet "të guxojmë" të jemi akoma më optimistë dhe të kërkojmë shifra të nivelit 7-8%? Së treti, a i kemi analizuar si duhet faktorët dhe elementet bazë që na kushtëzuan një rritje në nivelin vetëm 5.5% për vitin 2007? Dhe, së katërti, a po i marrim sa dhe si duhet në konsideratë tendencat kryesore dhe zhvillimet e pritshme në ekonominë dhe financat botërore, tendenca që do të kenë ndikim të padiskutueshëm në ekonominë shqiptare?

Duke pasur parasysh që është sektori i biznesit privat ai që pritet të kontribuojë më shumë se 70-75% në prodhimin e brendshëm bruto të vitit 2008, është shumë e rëndësishme të "lexohen" me kujdes sinjalet që jep biznesi për rezultatet e pritshme të rritjes në 2008. Nga njëra anë vlerësohen efektet pozitive që kanë dhënë faktorë të tillë si ulja e tatim-fitimit, plotësimi i kuadrit rregullator dhe klimës së biznesit, rritja në masën 35% e eksporteve, ulja e informalitetit dhe evazionit etj., por nga ana tjetër, sipas revistës "Monitor" (9 janar 2008), anketimet me bizneset "tregojnë përsëri se rritja ekonomike për 2008 pritet të jetë nën potencialet e saj" reale. "Përballimi i krizës energjetike dhe kostot shtesë që ajo provokon, sinjalet për reduktimin e konsumit si rrjedhojë e rritjes së inflacionit, mungesa e investimeve në teknologji dhe tendenca e muajve të fundit të vitit 2007 për të marrë më shumë hua për kapital qarkullues sesa për teknologji të reja e investime, ekzistenca e monopoleve dhe konkurrenca defektoze në shumë degë e sektorë të ekonomisë, thellimi i deficitit të llogarive korrente, thellimi i deficitit tregtar, dyshimet për uljen e shpejtë të kostos së kredimarrjes, çmimet e larta të naftës dhe mjaft lëndëve të tjera të para, mungesa e instrumenteve adekuate për të përballuar dhe për t‘u mbrojtur nga goditjet e tregut dhe çmimeve botërore, frika ndaj ndryshimeve të shpeshta të sistemit fiskal dhe aprovimi i ligjeve të panegociuara gjerësisht me grupet e interesit (ligji i gjobave, taksa e sheshtë, pagat e referencës etj.)", përbëjnë faktorë frenues për shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve dhe potencialeve të biznesit shqiptar.

Realizimi i nivelit të synuar të rritjes ekonomike lidhet ngushtë edhe me ecurinë e pritshme të sektorëve të veçantë. Duke i analizuar më konkretisht sektorët kryesorë të ekonomisë sonë në raport me kontributin e tyre në PBB konstatohet p.sh., se për vitin 2008, bujqësia që jep 22% të PBB do vazhdojë të varet dhe këtë vit nga financimet e huaja, ndërsa në buxhetin e shtetit nuk përbën akoma një prioritet. Megjithëse ka një rritje prej 13% në krahasim me 2007, përsëri buxheti për bujqësinë mbetet në nivelin e rreth 2% të PBB-së. Nga ana e tyre, ekspertët e sektorit të ndërtimit mendojnë se gjatë vitit 2008 pritet një kurbë rënëse e kërkesës për ndërtime të reja, kryesisht si pasojë "e uljes së fuqisë paguese dhe shtrenjtimit të kredive", si dhe "pengesave artificiale të dhënies së lejeve të ndërtimit në shumë qytete apo zona të tjera të vendit". Sektori që pritet të ketë zhvillimin më të madh këtë vit duket se do të jetë ai i tregtisë me pakicë, i cili ndikon më masën rreth 7% në PBB. Mjaft investime në qendrat tregtare në shumë zona të vendit që kanë filluar në vitin 2007 dhe pritet të përfundojnë në 2008 do ta dinamizojnë së tepërmi këtë sektor dhe ta rrisin efektin e tij në punësim dhe PBB.

Faktor i rëndësishëm që duhet marrë maksimalisht në konsideratë kur është fjala për të gjykuar mbi rritjen ekonomike për vitin 2008, janë dhe trendet e pritshme të ekonomisë botërore në përgjithësi dhe ato të vendeve, me të cilat Shqipëria ka lidhje direkte më të forta. Sipas FMN-së, "rritja e pritshme e ekonomisë botërore për vitin 2008 pritet të jetë në nivelin 4.8%", duke rezultuar kështu nën nivelin prej 5.2% të 2007 dhe 5.4% të 2006. Në SHBA, rritja ekonomike vlerësohet të mos e kalojë shifrën e 1.9%, në Evropë pritet të jetë rreth 2.1%, ndërkohë që vendet emergjente si: Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut etj., pritet të kenë një nivel mesatar rritjeje më të lartë se 7.4%. Nga ana e saj, OCDE-ja ka parashikuar gjithashtu për 33 vendet anëtare të saj, që janë dhe vendet më të zhvilluara të botës, një nivel rritjeje ekonomike prej 2.3% në 2008, ndërkohë që për 2007 ky nivel ishte 2.7%. Po në këtë logjikë rreshtohet dhe Banka Qendrore Evropiane, e cila për zonën euro parashikon një rritje prej vetëm 2% nga 2.3% që ishte një vit më parë.

Efekte të ndjeshme pritet të kenë dhe tregjet financiare si pasojë e efekteve negative dhe tronditjeve financiare që po vazhdon të shkaktojë kriza e "kredive të këqija imobiliare" në SHBA. Sipas Stephen Jen, ekonomist i Morgan Stanley "nëse do të zgjidhja vetëm një fjalë për të karakterizuar vitin 2008, ajo do të ishte fjala: paqartësi", ndërkohë që sipas një studimi të bankës "Goldman Sachs" "fatura totale e krizës së kredive të këqija amerikane (subprimes) duke marrë në konsideratë efektet direkte e indirekte të saj si p.sh., rrallimi dhe shtrenjtimi i kreditit, mund të arrijë në 2000 miliardë dollarë ose 1350 miliardë euro". Rreziku i fundit ka të bëjë me krizën e përgjithshme të çmimeve dhe inflacionit. Rritjet e çmimeve të naftës, lëndëve të para bujqësore, ushqimore e industriale, rritja e çmimeve të shërbimeve etj., mund të kenë efekte zinxhir në gjithë ekonominë botërore, mund të kenë efekte direkte në nivelin e varfërisë dhe fuqisë blerëse të shtresave të ndryshme të popullsisë, nivelit të varfërisë, rritjes së inflacionit etj. Të gjitha qeveritë dhe vendet e zhvilluara apo në zhvillim të botës po i ndjekin dhe analizojnë me kujdes koninukturat dhe efektet e mundshme në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për t‘i përballuar ato, ashtu siç po ndërtojnë me kujdes politika e strategji për të përfituar nga mundësitë dhe potencialet që paraqiten.

Pra, siç shihet, oportunitetet nuk janë baras me vetë suksesin ashtu si rreziqet nuk duhet të identifikohen si dështim. Përkundrazi, siç thotë dhe M. Candesy (ish-president i FMN-së në periudhën 1990-2000), "politikat për rritjen ekonomike nuk duhen konceptuar si një sprint në një distancë të shkurtër, por si një maratonë e gjatë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›