Dita evropiane e zgjedhjeve
Integrimi në shoqëritë euro-atlantike, në kuptimin e plotë të fjalës, në vetvete nuk është gjë tjetër veçse një proces "asimilimi" social-politik i kulturës sonë politike nga ajo evropiane. Po ashtu edhe arritja e standardeve të kërkuara me këtë rast, që janë veçse arritja në ato stade të etikës së sjelljes politike e sociale, që do të dallonin shumë pak nga etika e sjelljes së atyre vendeve, të cilat sot aderojnë në komunitetin më të përparuar të globit.
Nëse do të duhej të bënim diçka që do të shërbente vërtet si një fillim i mbarë i procesit të natyralizimit të popullit tonë me mbarë popujt e tjerë evropianë, do të ishte organizimi i një procesi zgjedhor civil dhe evropian. Them "do të ishte" një fillim i mbarë, pasi ne, akoma dhe sot pas 18 vjetësh demokraci, ashtu si thotë dhe refreni i këngës së përditshme politike shqiptare, nuk kemi arritur të organizojmë një proces legjitim e të mbarëpranuar zgjedhjesh. Padyshim që kjo ka shkaqet e veta, që për fatkeqësinë e popullit burojnë nga një e keqe e madhe, por e domosdoshme për rendin politik që kemi zgjedhur të aplikojmë, pra pushteti dhe etja pragmatikisht e justifikuar që kanë partitë politike për ta arritur atë.
Reforma zgjedhore që (Zoti vëntë dorën në zemër...) do të nisë së shpejti, do të trajtojë çështje të karakterit politik, që në fakt janë jo pak të rëndësishme. Përcaktimi i një sistemi të ri zgjedhor (vota ime shkon për një proporcional të pastër me prag "të liberalizuar"), që të jetë më gjithëpërfaqësues, të rregullojë më mirë raportet e përfaqësimit gjinor në qeverisje, të mos nulifikojë asnjë votë në mbarë Shqipërinë, t‘u japë mundësi përfshirjeje në proces edhe bashkështetasve tanë që jetojnë jashtë Atdheut dhe, mbi të gjitha, të eliminojë çdo mundësi manipulimi me të ashtuquajturat "vota taktike", është tashmë një domosdoshmëri. Ky sistem do të na jepte goxha dorë në përpjekjet tona për integrimin në NATO, si synimi më i afërt dhe do ta ngjyroste goxha portretin tonë gri në sytë e vendeve të komunitetit, ku ne synojmë të integrohemi në vitet e ardhshme.
Megjithatë, a do të mjaftonte thjesht kjo? A thua proceset e deritanishme kanë qenë të penalizuara thjesht dhe vetëm për shkak "të parregullsive" në sistemet e aplikuara? Nëse shohim raportet e misioneve vëzhguese ndërkombëtare (kryesisht ato të ODIHR) të bën përshtypje një gjë: zgjedhjet në Shqipëri, më tepër se për aspektin skematiko-legjislativ të tyre, janë qortuar në aspektin teknik. Teknikisht, dita e zgjedhjeve në Shqipëri nuk i ngjan pothuajse aspak një dite evropiane zgjedhjesh. Dita e zgjedhjeve në Shqipëri tradicionalisht nis e qetë derisa aty nga mesdita nisin të zakonshmet "incidente të para", që kryesisht bëjnë fjalë për grupe të inatosur militantësh, që hyjnë e dhunojnë qendrat e votimit, duke shkelur me të dyja këmbët integritetin e atomit të demokracisë, votën e lirë e të fshehtë.
Dita më pas vazhdon me "Komisioner-Shou", që diku shfaqet me rrahje komisionerësh aspak profesionistë në sportet e forta, të cilët nuk kursejnë ndaj njëri-tjetrit mjetet rrethanore, si këmbë karrigesh, tavolinash etj... Ndërkohë që një pjesë tjetër vazhdon rebelimin elektoral me marrje vule dhe largim nga qendra e votimit, nxjerrje jashtë votuesish, shoqëruar me mbyllje dere për një kohë të pacaktuar etj. Madje ka pasur raste deri në eliminim fizik ndërmjet komisionerësh militantë shumë pak të vetëpërmbajtshëm.
Nuk mbaron këtu! Muzgu, në vend të epilogut të një dite të lodhshme dhe plot aventura zgjedhjesh, na servir prologun e një përplasjeje të re. Lufta komisioneriale tashmë është zhvendosur në sallat ku qëndrojnë grupet e numërimit, që me thënë të drejtën, më tepër sesa grupe kalemxhinjsh profesionistë që ulen dhe numërojnë votat, të japin përshtypjen e grupeve me gladiatorë "hollivudianë" që, me qenë i sinqertë, dyshoj se mund të kenë lidhje të vona me aritmetikën. Dhe odiseja e zgjedhjeve vazhdon e vazhdon në KQZ, ku numri i çështjeve të reklamuara e tejkalon disa herë atë të kandidatëve. Më pas vjen Kolegji Zgjedhor, ku kandidatët për muaj me radhë reklamojnë çështje të tipit "...kur komisioneri ynë shkoi në tualet, komisioneri i atyre hodhi 50 fletë votimi në kuti..." etj., etj. Dyshoj se reforma që pritet të ndërmerret nuk do të arrijë të prekë, pale më të zgjidhë, këto çështje që e penalizojnë procesin zgjedhor dhe indirekt integrimin tonë në strukturat euroatlantike. Dita evropiane e zgjedhjeve do të vazhdojë të duket e largët dhe pas kësaj reforme.
Por a ka një zgjidhje?
Normalisht që po. Bullgaria, ashtu si ne, dikur ka pasur të njëjtat probleme që kemi ne me procesin zgjedhor. Votime të kontestuara, proces zgjedhor i dyshuar nga mëngjesi deri në darkë, akuza për vjedhje votash, vërejtje nga vëzhguesit ndërkombëtarë etj., etj. Por ata e gjetën një zgjidhje: vendosën që gjithë procesi elektoral të menaxhohej nga kompani private të specializuara dhe me eksperiencë në këtë fushë, të cilat duhet thënë që janë me dhjetëra kudo në botë. E kuptuan që problemi kryesor i menaxhimit të një procesi zgjedhor qëndronte në menaxhimin e gjithë asaj ngarkese emocionale (model tifozllëku sportiv). Në përgjithësi, popujt elektoralë të vendeve postkomuniste vazhdojnë të jenë emocionalisht të nxehtë dhe tejet të ndjeshëm kur bëhet fjalë për pushtetin politik. Dhe ata zgjodhën që gjithë këtë emotivitet të pakontrollueshëm, këtë emocionalitet ekstrem, këtë pasion të verbër ta mbajnë larg kutive të votimit. Nuk kishte më komisione që krijoheshin me militantë politikë, të gatshëm për vetësakrifikim për hir të kauzës, nuk kishte më hajdutë ordinerë votash, që me anë të trukeve të tipit "votoj 3-4 herë" siguronin vota të vjedhura për padronin e tyre politik, nuk kishte më komisione numërimi mbushur me ish ose pritshmërisht të burgosur, që për hir të një kompensimi të mëvonshëm në raportin "qen-kockë" ishin të gatshëm të jepnin "Wrestling-Show" për ditë me radhë. Por mbi të gjitha, ata vendosën të shuajnë dyshimet dhe reagimet negative të forcave politike ndaj rezultatit të zgjedhjeve, duke mbajtur administratën politiko-partiake larg votave. Ata krijuan atë që quhet stabilitet politik. Një rend politik të gjithëpranuar nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe një qeveri që realisht përfaqësonte vullnetin e popullit. Dhe përfundimi sot dihet: një Bullgari që aderon me të drejta të plota në Komunitetin Evropian.
Ka ardhur koha që edhe ne të fillojmë të shohim oportunitetet që kapitalizmi ofron edhe në fushën e emancipimit elektoral. Menaxhimi i procesit nga sipërmarrës privatë të specializuar të fushës do të largojë njëherë e përgjithmonë këtë perden gri që ngrihet sa herë që kemi zgjedhje. Askush nuk do të ketë më gojë të kundërshtojë, akuzojë, manipulojë, vjedhë votat e të tjera si këto fenomene kaq të rëndomta që hasen shpesh gjatë proceseve zgjedhore në Shqipëri. Nuk do të shohim më zëdhënës shtypi me flokë të shpupuritur që dalin shajnë, shtyjnë e pështyjnë emra njerëzish, deri atëkohë të panjohur. Në vend të komisioneve me 27 veta nga 27 parti, ku secili të bën nga një pyetje "me kunjë" kur ti kërkon thjesht fletën tënde të votimit, do të kemi dy-tre njerëz simpatikë profesionistë, që do të "shërbejnë" tamam si i shërbehet klientit. Në vend të sherreve me këmbë karrigesh mes komisionerësh gjysmë të saktë mendërisht, do të serviren buzëqeshje të ngrohta. Në vend të një procesi numërimi që zgjat me javë të tëra dhe rezultate që certifikohen sikur janë musht që pritet të kthehet në verë, do të kemi korrektësi dhe saktësi të gjitha në një kohë optimale numërimi, ndoshta vetëm 24 orë.
Pra, vetëm atëherë mund të themi që kemi realizuar një proces normal evropian zgjedhjesh. Vetëm kur ky i fundit të qëndrojë larg pasioneve skizofrenike militantësh histerikë që gjenerojnë përleshje shtazore në mes të Evropës. Vetëm kur tifozët e sëmurë partiakë të jenë larg kutisë së votimit, atëherë mund të themi se dita jonë elektorale i ngjan një dite të tillë evropiane.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet se pa "çmilitarizuar" trupat aktive elektorale ditën e zgjedhjeve, vështirë se do të kemi ndonjëherë besim absolut mbi gjithë procesin zgjedhor, vështirë se do të kemi ndonjëherë vota të pavjedhura, vështirë se do të kemi një përfaqësues legjislativ të gjithëpranuar nga të gjitha palët, vështirë se do të kemi raporte rozë nga vëzhguesit e përtej Adriatikut dhe detyrimisht vështirë se do të arrijmë standardet e shumëkërkuara. Delegimi i menaxhimit të procesit një trupe elektorale asnjanëse, do të jetë hapi i parë, por i sigurt i një emancipimi që zhvillon. Dhe për këtë nuk ka çmim, sado qoftë kostoja. Ia vlen për hir të integrimit, ia vlen për hir të së ardhmes, ia vlen për hir të kombit. Në këtë pikë askush nuk duhet të diskutojë kostot.