Spiunët, të mbrojtur nga politika
Shprehja, "çudia më e madhe tri ditë zgjat", do t‘i shkonte për shtat më së miri debatit për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Klasa politike nuk ka gjetur guximin t‘i shkojë deri në fund një nisme që tërhoqi vëmendjen e shqiptarëve, duke u kthyer në debat të ditës. Deklaruan se janë të gatshëm të hapin dosjet, por të majtët e të djathtët po shohin qartazi se tre projektligjet e propozuara ka filluar t‘i zërë pluhuri dita-ditës. Kërcënimet se "do bjerë qeveria", apo se "e gjitha opozita do dalë bashkëpunëtore e sigurimit", kanë asgjësuar njëri-tjetrin, duke i lënë bashkëpunëtorët realë të sigurimit në qetësi.
Nisma e PS
Propozimi ligjor i Partisë Socialiste mban titullin "për verifikimin e të qenit bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete shqiptare, para datës 31.12.1992, të funksionarëve të lartë publikë". Objekt i këtij ligji është hapja e arshivave të shërbimeve sekrete shqiptare të para datës 31.12.1992, për të gjithë ata funksionarë të lartë shtetërorë, të parashikuar nga ky ligj, që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ka për qëllim vetëm publikimin e tyre. Funksionarët publikë që do të verifikohen janë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, deputetët, ministrat, zv/ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë, të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga kushtetuta. Për kryerjen e procesit të verifikimit dhe të bërjes publike të emrave të funksionarëve të lartë që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit krijohet një komision shtetëror i përbërë prej 5 anëtarësh. Ky komision do të varet dhe do të përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë. Një anëtar, i cili do të jetë edhe kryetari i këtij komisioni, emërohet nga Presidenti i Republikës, nga radhët e juristëve me përvojë.
Nisma e PD
Subjekt të verifikimit të përgjithshëm, sipas këtij projektligji, janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 janë 18 vjeç e lart, dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë, apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet, apo janë në marrëdhënie pune në institucionet kryesore. Pastërtia e figurës morale të zyrtarit, përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme me mbajtjen prej tij gjatë periudhës 29 nëntor 1944, deri më 11 dhjetor 1990 të një prej detyrave apo cilësive të mëposhtme. Së pari, anëtar apo kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare, apo është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike. Së dyti, anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare ose është larguar vetë në mënyrë publike. Së treti, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit, si kryetar dege, drejtor apo zëvendësministër dhe ministër i organeve të Punëve të Brendshme. Së katërti, bashkëpunëtor i organeve të Sigurimit të Shtetit, me veprimtari të karakterit politik, që lidhen me veprat penale të parashikuara nga ligji nr.7514, datë 30.09.l991, "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë" të ndryshuar, apo bashkëpunëtorë vullnetarë për vepra të tilla që të mos ketë qenë në shërbimet e huaja të zbulimit, si dhe në organet e tjera analoge. Së pesti, i dënuar me vendim penal të formës së prerë, për krime kundër njerëzimit, për shpifje, apo dëshmi të rreme në procese politike (edhe pas vitit 1991). Së gjashti, anëtar i Komisionit Qendror të dëbim-internimeve dhe së shtati hetues, prokuror, gjyqtar a ndihmësgjyqtar në procese politike speciale.
Drafti i PD
- Subjekt të verifikimit të përgjithshëm, sipas këtij ligji, janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 janë 18 vjeç e lart, dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë, apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet, apo janë në marrëdhënie pune në institucionet kyçe të vendit.
- Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet një komision i posaçëm i përbërë nga 5 anëtarë. Propozohen si vijon: Komisioni përgjegjës për Çështje të Sigurisë Kombëtare në Kuvend; Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvend; ministri i Brendshëm; drejtori i Përgjithshëm i Shërbimi Informativ të Shtetit; d). drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit.
- Kur, sipas një vendimi të formës së prerë, vërtetohet se deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga zgjedhësit apo përfaqësues të organeve individuale të njësive të qeverisjes vendore, bashki dhe komuna, kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, ata vazhdojnë ushtrimin e mandateve, por komisioni ka detyrimin të bëjë publik në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë vendimin e tij.
Drafti i PS
-Funksionarët publikë që do të verifikohen: Presidenti, Kryeministri, deputetët, ministrat, zv/ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta.
-Për kryerjen e procesit të verifikimit dhe të bërjes publike të emrave krijohet një komision shtetëror i përbërë prej 5 anëtarësh, që përgjigjet para Kuvendit.
-Një anëtar, i cili do të jetë edhe kryetari i këtij komisioni, emërohet nga Presidenti i Republikës, nga radhët e juristëve me përvojë.
-Publikimi i emrave që gjenden bashkëpunëtorë bëhet në fund të procesit të verifikimit. Ndalohet publikimi i emrit të personit që gjendet ish-bashkëpunëtor, nëse ai/ajo paraqitet vetë para komisionit dhe deklaron se do të japë dorëheqjen nga funksioni që mban, përpara se të bëhet publikimi i emrave.
Drafti i PDK
-Ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore
-Ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të shtetit shqiptar
-Kontrollit do t‘i nënshtrohen Presidenti, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm.
-Kontrollit do t‘i nënshtrohen dhe gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga Presidenti, Kryeministri, ministri dhe Kuvendi.
-Për verifikimin e kontrollin e figurës së personit zyrtar ngrihet një komision i posaçëm pranë SHISH.
-Ky komision do të përbëhet nga inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive.
-Në përbërje do të jenë dhe katër anëtarë të emëruar nga Presidenti, me propozim të pozitës dhe opozitës, me një mandat 5-vjeçar.