Rusia "shpalos" forcën ushtarake
Rusia ia ka dalë mbanë dhe ka testuar me sukses dy raketa të reja balistike, ndërkontinentale, që mendohet se do të zëvendësojnë arsenalin e vjetër që daton që nga epoka e Bashkimit Sovjetik. Një raketë strategjike, e njohur si RS-24, ka përshkruar plot 7 mijë kilometra dhe ka goditur shënjestrat në gadishullin Kamçatka. Më pas, një nëndetëse ruse në detin Barents ka lëshuar edhe një tjetër raketë të re, duke goditur të njëjtin objektiv. Kjo vjen në të njëjtën kohë me deklaratat e Rusisë, që sërish akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po injoron shqetësimet e këtij vendi mbi planin amerikan për ndërtimin e një sistemi mbrojtës nga raketat në Poloni dhe Republikën Çeke. Uashingtoni thotë se po planifikon ndërtimin e një sistemi anti-raketor në Evropën Qendrore, me qëllim që të ndihmojë në përmirësimin e mbrojtjes kundër ndonjë kërcënimi të ardhshëm bërthamor nga ana e Iranit. Sistemi mbrojtës amerikan, përfshin një radar gjigand në Republikën Çeke dhe një bazë në Poloni, ku do të vendosen 10 interceptorë raketash. Gjithsesi, duke folur në një intervistë që do të publikohet gjatë kësaj jave në të përditshmen ruse "Vreme Novosti", ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se është e qartë që ky sistem mbrojtës që SHBA planifikon të ndërtojë në kufijtë e Rusisë, ka si qëllim të zmbrapsë Rusinë dhe jo Iranin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se sistemi i kufizuar që propozon nuk mund të kërcënojë kurrsesi arsenalin rus të raketave. Agjencia ruse e lajmeve, "Interfax", raporton ndërkohë se RS-24, raketa e testuar së fundmi, është e aftë të ngarkohet me të paktën tri testata bërthamore. Rusia thotë se ato janë në gjendje të depërtojnë në çfarëdolloj sistemi mbrojtës, një sfidë e hapur kjo për sistemin amerikan. Pak orë pas këtij lajmi vjen edhe një tjetër raport që sigurisht do të irritojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rusia ka pranuar t‘i shesë një sistem anti-raketor S-300 Iranit. Lajmi është konfirmuar nga ministri iranian i Mbrojtjes. Raketat S-300 kanë një rreze më të gjatë veprimi nga TOR-M1, tokë-ajër, që Moska i kishte shitur në fillim të këtij viti Iranit, mbështetur në një kontratë prej 1 milion dollarësh. Edhe në këtë rast, kritikat e Perëndimit nuk munguan. Irani në fakt u është nënshtruar sanksioneve të Kombeve të Bashkuara për shkak të refuzimit të tij për të ndaluar punën bërthamore për të cilën fuqitë perëndimore dyshojnë se ka si objektiv ndërtimin e bombës bërthamore. Por, këto sanksione gjithsesi nuk ndalojnë shitjen e armëve konvencionale e për më tepër, Moska është një ndër të paktat mbështetëse të republikës islamike, ndonëse jo krejt hapur.