Topi, Stefani, Gjoka dhe Qato fitojnë anketën "Njeriu i vitit 2007" te "Tirana Observer",
Presidenti Bamir Topi në politikë, Andrea Stefani në media, Gazmend Gjoka në art dhe Kreshnik Qato në sport, janë katër personazhet të shpallur si "Njeriu i vitit" nga "Tirana Observer". Sot, gazeta ka shpallur fituesit e katër çmimeve pas një ceremonie të veçantë në redaksi. Sipas votimeve të bëra në këtë gazetë, Bamir Topi ka marrë 401 vota, Andrea Stefani 360 vota, Gazmend Gjoka 1160 vota dhe Kreshnik Qato 430 vota. Anketa ka zgjatur 56 ditë dhe numri i përgjithshëm i votuesve është rreth 10 mijë persona. Duhet theksuar se është i treti vit radhazi që gazeta "Tirana Observer" organizon këtë anketë, e cila cilësohet si më seriozja dhe më e mirorganizuara nga të gjitha sipërmarrjet e këtij lloji. Në vitin 2005, fitues ishte shkrimtari i madh Ismail Kadare. Në vitin 2006 ishte fitues në politikë deputeti socialist Ben Blushi, në media gazetari Alfred Peza, në art Ismail Kadare dhe në sport futbollisti i kombëtares Erion Bogdani.