E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Problemet serioze të Shqipërisë

Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit për drogën dhe pastrimin e parave e ka cilësuar Shqipërinë si vend transit për lëndët narkotike, veçanërisht heroinën, nga vendet e Azisë Qendrore drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Sipas këtij raporti vjetor të paraqitur mëngjesin e djeshëm nga asistentsekretari për strategjinë e kontrollit të lëndëve narkotike, David Johnson, në DASH, Shqipëria është një pikë transporti e heroinës nga Afganistani, ku lëndët narkotike kalojnë nga "rruga e Ballkanit", duke filluar nga Turqia-Bullgaria-Maqedonia-Shqipëria drejt Italisë, Malit të Zi, Greqisë dhe pjesës tjetër të Evropës Perëndimore. Shqipëria, këtë vit, në diferencë nga vitet e tjera, ka pasur përmirësime në luftën kundër lëndëve narkotike dhe krimit financiar, megjithatë vlen të theksohet se përpjekjet e saj pengohen nga korrupsioni, mangësitë profesionale në rend, sistemin e pareformuar gjyqësor dhe ekonominë informale.

Roli i politikës shqiptare

Rol negativ në ambiciet e shqiptarëve për të shkuar drejt NATO-s dhe BE-së luan rryma politike në Shqipëri. Duke iu referuar këtij raporti, politika e përçarë dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e pengojnë përparimin e Shqipërisë, pavarësisht vullnetit të qeverisë për kryerjen e reformave.

Drogat në Shqipëri

Përveçse Shqipëria luan rolin e transitit të drogave nga vendet e Ballkanit, drejt atyre më të zhvilluara, ajo çka specifikohet në krye të përmbledhjes së raportit vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit është prodhimi i drogave në vendin tonë. "Kanabis vazhdon të prodhohet në Shqipëri për t‘u shitur në Evropë. Kultivimi i kanabisit bëhet në zonat malore të Shqipërisë dhe në të tilla zona qeveria nuk ka akses për të ndërhyrë, duke e pasur në këtë mënyrë të vështirë për ta parandaluar këtë fenomen dhe për të marrë masa", thuhet në raportin vjetor.

Kufijtë e pasigurt

Megjithëse në raport vlerësohet puna e policisë shqiptare për bashkëpunimin që ajo ka me forcat e DEA-s dhe FBI-së, një shuplakë e fuqishme autoriteteve shqiptare u vjen për mënyrën e ruajtjes së kufijve dhe porteve. Porti i Adriatikut dhe të gjitha doganat me të cilat Shqipëria mban hyrje-dalje me Italinë, Greqinë dhe Maqedoninë, janë të kontrolluara keq nga organet kompetente. Raporti thekson se doganat në Shqipëri kanë një keqfinancim dhe keqmenaxhim, madje edhe mungesë pajisjesh, çka e bën Shqipërinë të renditet si një nga vendet transit të heroinës, e cila kalon përmes vendeve kyçe të Ballkanit.

Korrupsioni

Shkak i këtij fenomeni janë pagat e ulëta dhe marrja e ryshfeteve

Më të korruptuarit: policia, dogana dhe gjykatat

Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem me rrënjët e thella në Shqipëri. Konkluzioni i raportit të Departamentit amerikan të Shtetit është bazuar në fakte konkrete mbi nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë. Pagat e ulëta, ryshfetet, rrjetet dhe lidhjet e ngushta sociale në Shqipëri e vështirësojnë luftën e korrupsionit në polici, gjykata dhe dogana.

Sipas këtij raporti të vitit 2007 për Shqipërinë, vështirësitë dhe problematika kryesore mbi nivelin e lartë të korrupsionit vazhdojnë të mbeten çështjet e pazgjidhura në gjykatë. "Shumë çështje gjyqësore nuk janë zgjidhur kurrë", theksohet në raport.

Gjithashtu, një tjetër pikë e cila mund të cilësohet si pozitive për Shqipërinë është fakti se rastet e shpërndarjes së ryshfeteve janë ulur në krahasim me vitin 2005 dhe 2006. Gjithsesi, Shqipëria vazhdon të ketë një defekt të madh në pavarësinë e gjyqësorit. Një notë vlerësimi në raport është rasti i vitit të kaluar, ku qeveria ka arrestuar mjaft funksionarë në pozicione të rëndësishme, të akuzuar për korrupsion. Në raport specifikohet edhe një rast, ku në mes drejtorëve të arrestuar në disa ministri, qeveria ka arrestuar edhe një zv/ministër të Transportit dhe Telekomunikacionit, i cili akuzohej për korrupsion. Në kapitullin e pastrimit të parave, raporti thekson se Shqipëria nuk është një qendër e rëndësishme financiare rajonale. Megjithatë thekson se Shqipëria, duke qenë një vend transit i drogave, armëve, qenieve njerëzore, përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë, për shkak të kontrollit të dobët në dogana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›