E Hënë, 2 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Jiro Ono, mjeshtri 100-vjeçar i sushit: Nuk ka ardhur ende koha për pension

TOKIO, 27 tetor /ATSH/ – Legjenda japoneze e sushit, Jiro Ono, ka mbajtur tre yje ”Michelin” për më shumë se një dekadë, duke u bërë shefi më i vjetër në botë që e ka arritur këtë, shkruan beaumontenterprise.com.

Ai u ka shërbyer figurave të shquara në të gjithë botën dhe arti i tij i sushit u shfaq edhe në një film.

“Pranoj të vazhdoj edhe për pesë vjet të tjera”, tha Ono muajin e kaluar, duke festuar “Ditën e Respektit për të Moshuarit” të Japonisë, me një dhuratë dhe një certifikatë pjesëmarrjeje.

Cili është sekreti i shëndetit të tij?

“Puna”, u përgjigj Ono kur u pyet nga guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, e cila e uroi për ditëlindjen.

“Nuk mund të vij më në restorant çdo ditë… por edhe në moshën 100 vjeç përpiqem të punoj sa herë që është e mundur. Besoj se ilaçi më i mirë është puna. Nuk ka ardhur ende koha për pension”, shton ai.

Ono, themeluesi i ”Sukiyabashi Jiro”, një bar i vogël sushi me 10 vende, në bodrumin e një ndërtese në lagjen moderne ”Ginza” të Tokios, mbushi sot 100 vjeç./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›