Sakashvili fiton zgjedhjet
Gjeorgjianët kanë votuar dje për Presidentin e ardhshëm të vendit, që pritet t‘i japë një fitore të vogël ish-presidentit të ish-shtetit sovjetik i konsideruar nga shumë analistë si "i preferuari i Perëndimit". Por ndaj këtyre parashikimeve kanë reaguar menjëherë kundërshtarët e Mikhail Sakashvilit, të cilët pretendojnë për mashtrime me votat.
Këto zgjedhje janë testi i parë që vë në provë besimin e votuesve të "Revolucionit të trëndafiltë" që shpërtheu në vend në vitin 2003, në përfundim të të cilit erdhi në fuqi, Sakashvili. Ky i fundit, i shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me një mbështetje e përkrahje të madhe jo vetëm nga amerikanët, por edhe ndërkombëtarë të tjerë i befasoi të gjithë me sjelljen e tij, nëntorin e kaluar kur shtypi me dhunë protestat antiqeveritare. Sipas një kongresmeni amerikan, këto zgjedhje janë vendimtare për fatin jo vetëm të Sakashvilit, por të demokracisë në Gjeorgji, pas ngjarjeve të dhunshme të nëntorit. Në të gjithë Gjeorgjinë, e cila ka përmasat e Irlandës rreth 4.5 milionë votues kanë hedhur votën e tyre, edhe pse moti ka qenë i ashpër dhe pjesëmarrja në votime ka qenë e lartë. Gjeorgjia është vendlindja e Stalinit, njërit prej diktatorëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar dhe një vendkalim strategjik i gaz dhe naftësjellësve që përçojnë këto lëndë nga Deti Kaspik drejt Evropës, si dhe vendi ndaj të cilit si Rusia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që të kenë supermaci dhe ndikim. Të gjitha zgjedhjet e mëparshme që nga viti 1991 nga rrëzimi i ish-Bashkimit Sovjetik, kanë qenë të kritikuara për manipulime dhe të pasuara me probleme. Sondazhet paraprake treguan se Sakashvili kishte 40% të shanseve për të fituar garën në të cilën merrnin pjesë shtatë kandidatë presidencialë, por nuk dihet nëse do të ketë një fitore mbi 50% për të shmangur një tur të dytë. Por ndoshta kjo do të bëhet e mundur, të paktën pas përfundimit të një exit-polli që nxjerr Sakashvilin fitues me të paktën 52.5% të votave. Exit-poll i kryer nga një grup organizatash joqeveritare dhe i transmetuar nga stacionet televizive e vendosën sfidantin kryesor të Sakashvilit, Levan Gachechiladze me 28%. Ky i fundit është një anëtar i parlamentit, i cili përfaqëson koalicionin opozitar. Veç të tjerash ai është edhe një biznesmen i pasur i cili i ka fituar milionat me biznesin e verës. Në garë ishte edhe mandati i mediave Badri Patarkatsishvili. E vetmja femër kandidate ishte Irina Sarishvili e cila e mbështeti kandidaturën e saj në kundërshtinë për anëtarësimin e vendit në NATO. Për sa i përket ish presidentit ai fitoi zgjedhjet e fundit presidenciale me 97% të votave. Në lidhje me fushatën elektorale kandidatët e opozitës u ankuan se ajo u zhvillua në mënyrë të padrejtë e përmes shkeljesh të mëdha, ndërsa për ditën e votimit u ftuan shumë vëzhgues ndërkombëtarë të monitoronin procesin. Sakashvili erdhi në pushtet pas premtimeve për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të futur zbatimin e reformave të ekonomisë së tregut të lirë, por për sa i përket varfërisë ajo nuk ka ndryshuar dhe përgjithësish zor se mund të vësh re ndonjë ndryshim të dukshëm në vend. Veç të tjerash stili qeverisës i Sakashvilit ishte shumë arrogant dhe aspak korrekt, sidomos edhe ndaj opozitës, gjithsesi duket se fitorja i ka buzëqeshur sërish edhe për një mandat tjetër presidencial.