E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur HD (Hight definition) është dhe njeri

Ai mund të quhet më i fundit pinjoll i sagës së Kokonozëve, të dhënë me mish e shpirt pas artit të figurës e ndokush dhe pas artit të fjalës. Gjithsesi, të bashkuar rreth shpirtit artistik. Më i fundmi që ndjek tradicionin e këtij shpirti është Zamir Kokonozi, një 29-vjeçar, i cili është i vetmi shqiptar që ndjek një master për kineast në Hollivud, me një bursë të dhënë nga shteti amerikan. I ndodhur këto ditë në atdhe, ajo që e entuziazmon më tepër nga vatani i tij është evenimenti teknologjiko-mediatiko-audioviziv i futjes së sistemit HD (Hight Definition) në platformën Digitalb. Për të kjo do të thotë shumë, ndonëse ndër shqiptarë sapo ka filluar të shijohet kjo përmasë teknologjike e fjalës së fundit. Zamiri vetë e ka aplikuar këtë sistem në praktikën e tij filmike në shkollën ku studion. "Në Amerikë janë të rralla ato televizione që e aplikojnë, ndaj futja e këtij sistemi në Shqipëri është vërtet ngjarje e rrallë", shprehet Kokonozi. I punësuar dikur në "Top Channel", para se të nisej për studime të specializuara në Hollivud, ai thotë se arritje e këtij televizioni është ndjekja hap pas hapi e çdo prurjeje në industrinë e madhe të teknologjisë audiovizuale dhe përfshirja e tyre sa më e shpejtë në konstruktin teknologjik të televizionit.

Ndërsa në industrinë kinematografike, e specifikisht në atë të Hollivudit, rrëfen Kokonozi, sistemi HD kombinohet mjeshtërisht me sistemin paraardhës, pa e zhvlerësuar në mënyrë absolute. Fjala vjen xhirohet me film, kalohet në postproduksion elektronik e sërish kthim te filmi. I ndodhur brenda këtij universi magjik prej disa vitesh, Zamir Kokonozi metaforikisht mund të konsiderohet si një lloj individi HD (Hight Definition) për kinemanë e re shqiptare. Sepse, pashmangshmërisht do ketë një kinema të re, të promovuar nga një brez, që pak e nga pak po bën kalimin nga shkolla lindore në atë perëndimore në artin e figurës dhe komponentë të tjerë të të qenit kineast. 29-vjeçari Kokonozi është përfaqësuesi më adapt i këtij brezi që po gatuhet në Hollivud. Ç`është Hollivudi? Shumëçka përveç atyre që e imagjinojnë njerëzit këtu. Më për të qeshur i vjen nga përmendja e titujve të tillë gazetareskë, pjesë e delirit kolektiv shqiptarofil si: "ai (ose ajo) pushton Hollivudin".

Atje, tregon Kokonozi, vjen një moment që nuk të vlen as emri i madh që mund të kesh bërë në vite. Nuk merret kush me atë që kë bërë, por vlerësohesh me atë që bën, me projektin që paraqet. Dhe projektet zënë njëra-tjetrën, pa lënë tek artisti asnjë lloj boshllëku që mund të zihet me historira rozë. Të gjitha këto të fundit që i serviren publikut janë për efekt marketingu, një lloj industrie që bashkudhëton paralel me gjeninë profesionale të çdo kineasti e artisti.

Zamiri kujton vitin e parë të studimeve, me një program të ngjeshur në ekstrem, ku gjithçka ishte e bazuar te praktika. Për çdo lëndë, kujton ai, sistemi i vlerësimit ishte në bazë të projekteve që paraqisje. Dhe për çdo javë një projekt, ku përfshiheshin filma të shkurtër dhe etyde fotografike. Për shembull, në lëndën e kamerës paraqisje një projekt të tillë: Një hit të U2, subjektin e të cilit duhej ta paraqisje me 10 foto. Nga java, katër ditët e para ishin teori, tre të tjerat praktikë nëpërmjet përgatitjes, realizimit dhe paraqitjes të projekteve, ku të gjithë komponentët, edhe ato të shërbimeve të prapavijës, duhet të përgatiten nga vetë studentët.

Shkolla ky kryen studimet e masterit kineasti Kokonozi është e vetmja e tillë e filmit në SHBA, ku godina e re e së cilës brenda kampusit të "Chatman University" ka kushtuar 60 milionë dollarë dhe ka në përbërje prurjet më të fundit të teknologjisë audiovizuale të industrisë së filmit. Deri atje, kineasti Kokonozi mbërriti pas 5 vjetësh studimi në shkollën e njohur kombëtare të Artit dhe Filmit në Rumani, "I.L.Caragiale", e më pas nga një përvojë e pasur në "Vizion Plus", "Top Channel", si dhe në sheshxhirime filmash të ndryshëm. Eksperienca e parë është ajo si as/operator në filmin "Parullat" të Gjergj Xhuvanit, e më pas me po të njëjtën detyrë te filmat "Misteret e Butrinit", (dokumentar) i regjisorit Vladimir Prifti; te "Lule Bore" të Robert Budinës, si dhe tek "I dashur armik", rikthim me Gjergj Xhuvanin. Ndërsa avancon si operator te filmi i Dhimitër Anagnostit, "Gjoleka, i biri i Abazit". Zamir Kokonozi është gjithashtu dhe hartues i kurrikulave të degës së kamerës së bashku me mjeshtrin Faruk Basha, në shkollën "Marubi", ku dhe ka qenë pedagog për një vit në lëndën e kamerës. Ajo që mbetet për t`u zbuluar në të ardhme në personalitetin e tij artistik është formimi hollivudian në realitetin shqiptar. Filmi artistik dhe dokumentari janë dy udhët e përcaktuara prej tij si kineast. Shqipëria është e vështirë, ai e di këtë. Mungojnë laboratorët, shtëpitë prodhuese, pra mungon një sistem i tërë që do u përgjigjej prurjeve të reja. Por si në çdo gjë, ka një fillim. Zamiri, ky Kokonoz i ri, nuk është nga ata që zhgënjen. Këtë mendim ka dhe moderatori Mustafa Nano, që e pati të ftuarin e parë në edicionin e radhës te "Déjà vu", mbrëmjen e së premtes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›