Sako: PS do mandatin e nëntë në qarkun e Durrësit

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri e njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me gratë dhe vajzat e qytetit të Durrësit.
Kreu i Partisë Socialiste në këtë takim shoqërohet nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, që është njëkohësisht dhe drejtuesja politike e qarkut të Durrësit, Emirjana Sako. Po ashtu, kryeministri shoqërohet edhe nga kandidatet për deputete të PS në qarkun e Durrësit.
Takimi është pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PS-së, Rama, ka vendosur në fokus të kësaj fushate vajzat dhe gratë, duke theksuar rëndësinë e tyre në shoqërinë shqiptare, si dhe në vendimmarrjen brenda Partisë Socialiste dhe qeverisë që ai drejton.
Në nisje të takimit, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako theksoi se në qarkun Durrës, 50% e listës së kandidatëve të PS përbëhet nga gra dhe vajza.
Ajo tha se Durrësi është transformuar gjatë këtyre dhjetë viteve të viteve të fundit. “Jemi dëshmitarë të transformimit që ka pësuar ky qark. 100 shkolla të reja të ndërtuara në një dekadë. 33 000 nxënës dhe 2000 mësues në institucione moderne për të kryer procesin e tyre mësimor. U rehabilituan qendrat shëndetësore në të gjitha njësitë administrative”, tha Sako.
“U rindërtuan qindra-mijëra shtëpi për ata që humbën banesat nga tërmeti i vitit 2019, infrastruktura hekurudhore, portuale, që janë një derë e re për zhvillimin e ekonomisë të qyteteve tona”, tha Sako.
Sako tha se vota për PS dhe të jetë për misionin historik të Shqipërisë në BE në 2030. “Ne e nisim këtë garë me 8 mandate. Do trokasim në çdo derë për mandatin e 9 në qarkun e Durrësit”, tha Sako.
Fjalën e mori më tej, deputetja e PS, Klodiana Spahiu. “Ne gratë e Durrësit, Shijakut, Krujës, na takon të krenohemi, sepse jemi të supervlerësuara në të gjitha drejtimet dhe fushat që përfaqësojmë. Kemi mësueset më të mirëpaguara, kemi biznese që drejtohen nga gra të nderuara të Shijakut, Durrësit dhe Krujës”, tha Spahiu.
Deputetja e PS, Milva Ekonomi tha se vota e grave dhe vajzave të Durrësit do të shkojë për numrin 5. “Mos e çoni votën në “kënetë”, – shtoi Ekonomi. – Kur PS thotë një fjalë e mban. Kemi në Shijak, Durrës shtëpi të rindërtuara pas tërmetit. Shkolla e kopshte moderne”.
“Ne duhet të sigurojmë këtë që kemi fituar”, tha Ekonomi, dhe për këtë, shtoi ajo, “pa BE këto që kemi arritur nuk mbrohen dot. BE është komuniteti i të drejtave të barabarta”, theksoi Ekonomi.
“Rrugëtimi ynë në BE është një rrugëtim që udhëhiqet nga PS dhe Edi Rama. Prandaj duhet të kemi nëntë mandate në qarkun Durrës”, tha Ekonomi.
Deputetja tjetër e PS, Aurora Mara tha se gratë janë zemra pulsante e shoqërisë sonë. “Të jesh grua është mahnitëse, është aventurë që kërkon kurajo. Është sfidë që nuk mërzitet kurrë. Gratë janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë. Ato me dashuri dhe përkëdhelje japin kontribut për formimin e të ardhmes së shoqërisë. Si forcë politike angazhimi ynë është që çdo grua të jetë protagoniste në çdo sektorë të jetës. Gratë janë kudo, në administratë, në nivele drejtuese, qeveri, parlament dhe në çdo sferë të jetës. Mbetet ende shumë për të bërë për barazinë gjinore. Do vazhdojmë të punojmë për një Durrës evropianë. Duam mbështetjen tuaj për të maksimizuar votën në qarkun Durrës”, tha Mara.
Takimi i kryeministrit Rama me gra dhe vajza në Durrës 1 nga 9/a.f/r.e/