E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgjet vuajnë nga mbipopullimi dhe mostrajtimi i të sëmurëve

Kalimi i paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë e ka zgjatur tranzicionin e sistemit të burgjeve në Shqipëri dhe po ashtu edhe problemet që lidhen me këtë fazë. I këtij mendimi është Vasilika Hysi, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Sipas saj, burgjet shqiptare janë duke vuajtur mbipopullimin, por edhe mungesën e kushteve për trajtimin e të dënuarve që janë të sëmurë. Në një intervistë për "Shqip", Hysi ka shprehur edhe qëndrimin e organizatës që ajo drejton ndaj reformës në drejtësi.

Debati për reformën në drejtësi, duket se është në kulmin e tij edhe për faktin se kjo është një nga detyrat kryesore për integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Si e vlerëson KSHH këtë reformë dhe debatin, më së shumti politik që po zhvillohet rreth saj?

Reforma në drejtësi është më se e domosdoshme, jo vetëm sepse kjo kërkohet si një kusht për integrimin në NATO dhe BE, por sepse është një domosdoshmëri në radhë të parë për qytetarët, për të gjithë shtetasit. Thelbi i kësaj reforme duhet të jetë një sistem drejtësie që funksionon në mënyrë më efikase dhe të jetë në shërbim të publikut. Nuk do më pëlqente të komentoja debatet politike, sepse shpeshherë debati për reformën në drejtësi është konceptuar si një reformë që ka të bëjë me njerëzit, me krerët e institucioneve të drejtësisë. Unë e shikoj këtë proces shumë më thellë, në mënyrën se si duhet të funksionojë sistemi i drejtësisë, për të qenë i pavarur, profesional, efektiv dhe aksesi i publikut të jetë sipas standardeve bashkëkohore.

Për sa i përket pavarësisë është e qartë se duhet që gjyqtarët, prokurorët të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të mos kenë frikë në dhënien e vendimeve, të mos ndikohen qoftë nga klasa politike, por edhe të mos jenë nën presionin, kërcënimin apo frikën e veprimeve korruptive nga persona që kanë probleme me drejtësinë. Për këtë është shumë e domosdoshme që vetë punonjësit e institucioneve të drejtësisë, të prokurorisë, të sistemit gjyqësor, sidomos konferenca gjyqësore të analizojë të gjitha problemet që mbart sistemi i drejtësisë, të gjitha pikat e forta dhe të dobëta të këtij sistemi, të bëjë një analizë të shkaqeve pse ekzistojnë këto probleme dhe të bëjë sugjerime se si mund të përmirësohet. Unë mendoj se prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë pjesë e reformës. Pra, ata duhet të jenë aktorë dhe mos presin që reforma të kryhet pa pjesëmarrjen e tyre.

Por a ka diçka për të rregulluar edhe brenda veprimtarisë së vetë punonjësve të drejtësisë, prokurorëve apo gjykatësve?

Sigurisht që pjesë e reformës në drejtësi mendoj se duhet të jetë edhe rritja e profesionalizmit. Kur flasim për profesionalizmin nuk mjafton që të gjithë prokurorët dhe gjykatësit të kenë mbaruar shkollën e Magjistraturës, por është shumë e domosdoshme që ata të jenë përherë të përditësuar me informacionin. Në këtë kuadër, reformës në drejtësi do t‘i shërbente shumë edhe ngritja e një sistemi që do të vlerësojë performancën e gjyqtarëve, veçanërisht në cilësinë e çështjeve, etikën e komunikimit, dhe me shpejtësinë dhe cilësinë e hetimit dhe gjykimit të çështjeve të ndryshme. Ajo që KSHH ka konstatuar në mënyrë të vazhdueshme nga monitorimi i punës së gjykatave është se për një problem të caktuar gjykata të ndryshme kanë praktika të ndryshme, për çështje që janë analoge. Do të thosha se pavarësisht bindjes së tij të brendshme nuk mund të vendosë në mënyrë kaq të ndryshme nga një gjykatë në një tjetër. Kjo kërkon krijimin e disa praktikave, që bëhet edhe nëpërmjet profesionalizmit të gjyqtarëve, por njëkohësisht me një njohje më të mirë të ligjit.

Nga se mendoni se vijnë këto lloj vendimesh?

Ne nuk kemi shumë jurisprudencë për shumë nga dispozitat që janë në Kodin Penal, ose në legjislacionin e familjes dhe në Kodin Civil. Sepse ne ndryshojmë vazhdimisht ligjet. Shumë ligje ose nene kopjohen ose futen për shkak të miratimit të konventave dhe shumë herë vetë gjyqtarët e prokurorët nuk janë në gjendje të kuptojnë përmbajtjen e këtij neni, çka bën që ai të zbatohet në mënyra të ndryshme.

Ju thatë se prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë aktorë aktivë në kryerjen e reformës në drejtësi. Kush mendoni se duhet të jenë pjesëmarrësit e tjerë në këtë reformë?

Reforma në drejtësi është shumë e gjerë dhe përmban shumë aspekte, por ka edhe shumë aktorë që mund të kontribuojnë për realizimin e saj. Personalisht, do të sugjeroja se në këtë proces mund të kontribuojnë shumë mirë edhe ekspertë të pavarur nga institucionet universitare akademike, ekspertë të fushës, avokatë, njerëz që kanë një përvojë të gjatë në këtë fushë, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Për shembull, shumë organizata të të drejtave të njeriut, organizata të tjera, e madje edhe media mund të kontribuojë. Pasi ne te gjithë kemi raporte të pavarura nëpërmjet të cilave kemi parë funksionimin e sistemit të drejtësisë nga një pozicion jashtë këtij sistemi dhe mund të sjellim fare mirë atë çfarë publiku pret nga ky sistem dhe cili është perceptimi i publikut për këtë sistem. Marrja pjesë nuk do të thotë që të bëhemi anëtarë të grupeve, por opinionet, mendimet, raportet të merren të studiohen dhe problematikat e tyre të pasqyrohen në realizimin e reformës.

Ndërkaq, një nga fushat ku ju keni një aktivitet të gjerë monitorimi është sistemi i burgjeve në Shqipëri. Aktualisht, në çfarë situate ju rezulton të jetë ky sistem?

Sistemi i burgjeve në Shqipëri do të thosha se është sërish në një fazë tranzicioni, sepse vitin e kaluar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë në varësi të plotë edhe sistemin e paraburgimit. Po të kemi parasysh mbipopullimin e burgjeve për shkak të rritjes së numrit të personave që janë duke vuajtur dënime të gjata, shtimi i sektorit të paraburgimit e ka rënduar edhe më shumë situatën. Ka hapa pozitivë në reformën ligjore, që kanë të bëjnë me sistemin e burgjeve. Aktualisht, janë disa projektligje që po diskutohen dhe pritet të miratohen. Por problemi i mbipopullimit ka sjellë shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Në sistemin e burgjeve ende nuk kanë gjetur zgjidhje sa dhe si duhet rastet e trajtimit të të sëmurëve. Në Spitalin e Burgut gjenden aktualisht 83 persona që janë të sëmurë psikikë, të cilët janë duke vuajtur dënime të ndryshme, ndërkohë që Spitali i Burgut nuk është institucioni që duhet të merret me mbajtjen e tyre. Në shumë institucione të vuajtjes së dënimit nuk ka mjekë ose mungojnë medikamentet kryesore që janë të nevojshme për trajtimin e të burgosurve. Në vendet e paraburgimit që kanë kaluar në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, por që janë ende në komisariate policie, situata është shumë e rëndë nga pikëpamja e infrastrukturës, e kushteve higjienike dhe shërbimeve që ofrohen ndaj personit të arrestuar.

Cilat kanë qenë institucionet e fundit të sistemit të burgjeve që keni monitoruar?

Monitorimi i fundit është bërë këto dy javët e fundit në paraburgimin e Korçës. Ndërkaq, muajt e fundit të vitit të kaluar janë kryer monitorime në paraburgimin e Vlorës, të Tropojë, të Kukësit, të Durrësit, në Spitalin e Burgut dhe në Burgun 302.

Opinioni publik është përballur ditët e fundit me një zhvillim të pazakontë. Një fëmijë 13-vjeçar, i akuzuar për vepra penale të rënda, për shkak të moshës dhe mungesës në Shqipëri të një shkolle riedukimi është lënë i lirë. Ju si e vlerësoni këtë rast dhe gjendjen e institucioneve të riedukimit të të miturve?

Pyetja juaj prek një problem që është shumë shqetësues në Shqipëri. I mituri që ju sapo përmendët ka nevojë për të pasur një trajtim dhe një përkujdesje të veçantë. Në kushte familjare, sado me kulturë dhe e përgatitur të jetë familja, një fëmijë i tillë nuk mund të trajtohet, sepse vetë familja do të fillojë ta stigmatizojë, ta veçojë, ta izolojë, por njëkohësisht mjedisi ku jeton, lagja, shkolla etj., mund të krijojnë një situatë tensioni dhe ngacmimi tek ai, duke e bërë sërish të rrezikshëm për shoqërinë. Fatkeqësia është se në vendin tonë mungojnë qendrat e specializuara për trajtimin e personave të mitur që mund të kenë probleme të personalitetit dhe që nuk janë të sëmurë psikikë. Sepse këto janë dy probleme që kanë nevojë për trajtime të ndryshme. Shpeshherë këta persona lihen të lirë, sepse nuk ka institucione ku mund të trajtohen. Në këto kushte, zgjidhja urgjente të cilën KSHH e ka ngritur shpeshherë dhe që po e ritheksoj është ngritja e qendrave të specializuara për trajtimin e rasteve të tilla, qoftë për fëmijët që kanë kryer vepra penale dhe nuk kanë mbushur moshën e përgjegjësisë penale, por edhe për persona të rritur që mund të jenë të sëmurë psikikë ose kanë sëmundje të tjera dhe gjykata vendos masën e trajtimit mjekësor.

kërkesa

Përse duhen gjykatat administrative

Qytetarët për një konflikt shumë të vogël administrativ janë të detyruar t‘i hyjnë një rruge shumë të gjatë, procesit civil, sepse nuk ka gjykatë administrative e cila mund ta zgjidhë brenda ditës një konflikt të vogël. Kjo do të sjellë ulje kostoje financiare, për mbajtjen e gjykatave, do ta bëjë gjykatën më eficente më të kontrollueshme dhe publiku nuk do të ketë ato lloj shpenzimesh që ka sot. Nuk do të humbë më shumë kohë, por edhe nerva për t‘u sorollatur nëpër gjykata, për shkak të zvarritjeve, mosgjetjes së të vërtetës, humbjes së aktualitetit të çështjes etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›