E Diel, 1 Nëntor 2026

K.Ronaldo rrëfen "ëndrrën spanjolle"

Ylli i Mançester Junajted, Kristiano Ronaldo, ka folur përsëri rreth dëshirës që një ditë të luajë në kampionatin spanjoll. Mesfushori portugez është objektivi kryesor i Realit të Madridit për merkaton e verës, pas një tjetër sezoni të shkëlqyer në "Olld Traford". Ronaldo ka gjetur rrugën e rrjetës 19 herë në vetëm 20 ndeshje të Premiershipit, ndërkohë që në gjysmën e parë të edicionit ka shënuar 27 gola në të gjitha aktivitetet e marra së bashku. Kjo është arsyeja përse Sër Aleks Ferguson mendon ta "blindojë" dhe javën e ardhshme do t‘i ofrojë lojtarit rinovimin e kontratës deri në vitin 2014. Përfitimi i përgjithshëm i futbollistit llogaritet në afro 60 milionë euro: asnjëherë më parë në Angli një lojtar nuk kishte përfituar kaq shumë. Por, ndërkohë që portugezi ka deklaruar se është i lumtur te "Red Devils", ai nuk ka mohuar faktin se një ditë do t‘i pëlqente të luante diku tjetër, me kampionatin spanjoll që mbetet preferenca e parë. Kristiano Ronaldo tha për "The Daily Mirror": "Në një moment të karrierës jam i sigurt se do të më pëlqente të luaja në Spanjë. Megjithatë, kjo dëshirë nuk vlen për momentin. Më pëlqen të luaj për Junajted dhe jam shumë i lumtur në Angli. Duhet të pranoj se edhe kampionati italian më tërheq". Në vitin 2007, mesfushori humbi garën përballë brazilianit të Milanit, Kaka, për çmimin "Lojtari më i Mirë i Vitit". Megjithatë, ai pohoi se nuk do të ishte çudi nëse ky vlerësim do t‘i jepej në fund të vitit 2008. "Nuk kam nevojë të tregoj se jam numri 1 në botë, shtoi Ronaldo. Kjo del pas punës së nëntë muajve. Nëse fitoj çmimin si ‘Lojtari më i Mirë‘, nuk do të habitesha. Jam vetëm 23 vjeç dhe asnjëherë nuk e kisha menduar se do ta shihja veten në një pozicion kaq të privilegjuar në botën e futbollit, duke luajtur në nivelet më të larta me një klub të madh si Mançesteri".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›