Premiershipi mendon për ndeshjet "jashtë kufijve"
Premiershipi anglez ka filluar të planifikojë përhapjen përtej kufijve të Anglisë. Pasi e kanë shndërruar kampionatin në një superfuqi për shitjen e të drejtave televizive, 20 klube kanë rënë parimisht dakord për të miratuar një projekt, sipas të cilit secila skuadër do të zhvillojë një ndeshje shtesë në shtete të ndryshme. Sipas propozimit, qytete si Hong Kongu, Nju Jorku, Los Anxhelos, Singapori, Sidnei, Johanesburgu, Dubai dhe Pekini do të presin përballje ndërmjet dy skuadrave të elitës së futbollit britanik.
Të enjten pasdite Liga e Futbollit organizoi një konferencë për shtyp, ku bëri publik vullnetin e klubeve, të cilat do të shqyrtojnë mundësinë për të luajtur në disa prej qyteteve më të mëdha të botës. Takimi i 20 klubeve, i organizuar gjatë paradites, solli marrëveshjen paraprake, ku të gjithë pajtoheshin me idenë. Kuptohet se në planin për të zhvilluar ndeshje jashtë territorit të Madhërisë së Saj, përjashtohet mundësia që këto të jenë sfidat e fundsezonit. Qëllimi është që të sigurohen të ardhura shtesë në të gjithë botën dhe "paratë ekstra" që do të përfitohen nga e drejta televizive do të ndahen në mënyrë të barabartë mes 20 skuadrave. Detajet rreth mënyrës se si do të funksionojë sistemi ende nuk janë përcaktuar, por tashmë çdo klub do të luajë 39 ndeshje, e ku përballjet do të përcaktohen sipas shortit. Kriteri bazë, që do të përdoret për të vendosur çiftet e sfidave jashtë kufijve në short, do të jetë pozicioni në klasifikim. Sipas propozimit të parashtruar, pikët e fituara në ndeshjet jashtë Anglisë do të vlejnë për klasifikimin final në Premiership. "Tashmë, kampionati anglez është shndërruar në një fenomen global", tha një burim i brendshëm për "SportsTicker". "Të gjithë e kanë të qartë sesa i njohur është Premiershipi në të gjithë botën dhe ky propozim ka qenë mjaft i goditur, pasi aty përfshihen të gjitha klubet, jo vetëm ato kryesoret. Elita e futbollit (anglez) ka funksionuar gjithmonë si një ‘kooperativë‘ e 20 klubeve dhe kjo ide do të rrisë të ardhurat e të gjitha skuadrave. Për më tepër, kjo ide shërben për të reklamuar kampionatin, por i krijon edhe mundësi tifozëve të skuadrave të ndryshme në të gjithë botën që të ndjekin në vendin e tyre ekipet angleze, që deri më tani kanë pasur mundësi t‘i shohin vetëm në televizor. Tashmë projekti duhet të studiohet nga Liga dhe aty të jepen propozime sesi ai mund të realizohet". Shefi ekzekutiv i Ligës Angleze, Riçard Skudamor, nuk pranoi të zbulonte detajet, edhe sepse gjasat janë që vendimi përfundimtar të merret në qershor, kur do të zhvillohet edhe Asambleja vjetore dhe ajo nuk pritet të zbatohet deri në sezonin 2010/11. Kundër idesë është shprehur Sekretari i Shtetit për sportin, Xheremi Hant, i cili e ka cilësuar zhvillimin e ndeshjeve jashtë Anglisë si "të turpshme", duke shprehur edhe shqetësimin se në ishull nuk po kontribuohet për rritjen e talenteve vendas. "Reagimi im i parë rreth këtij plani është se ai është i turpshëm, tha Hant. Megjithatë, mendoj se në Premierligë luajnë disa nga lojtarët më të mirë në botë dhe mendoj se jemi me shumë fat që kemi një kampionat të tillë".
Metoda
Sportet amerikane e kanë eksperimentuar këtë metodë së fundmi në vjeshtë, kur një ndeshje e kampionatit të futbollit amerikan (NFL) u luajt në "Uembli". Këtë ide në SHBA e kanë përdorur edhe për hokejin dhe NBA