E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi përgatitet të vizitojë Kosovën

Vizitën e parë zyrtare, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet ta bëjë në Kosovë. Lajmi bëhet i ditur nga burime jozyrtare nga institucioni i Presidencës. Po sipas këtyre burimeve bëhet e ditur se aktualisht stafi i kreut të shtetit po punon intensivisht për përgatitjen e kësaj vizite. Në prononcimet dhe intervistat e kreut të shtetit është theksuar vazhdimisht se dëshira e tij më e madhe ka qenë që vizitën e parë zyrtare ta bëjë në Kosovë. Ky vizitë ka qenë e pamundur të bëhej gjatë 2007-ës, për vetë situatën delikate në të cilën kaloi Kosova, e përfshirë në diskutimet intensive për statusin e pavarësisë. Vizita pritet të bëhet nga fundi i javës që vjen, pas konstituimit të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e fundit. Presidenti Topi, më shumë se një herë, e ka theksuar qëndrimin e Shqipërisë për Kosovën e pavarur. Ky qëndrim është theksuar edhe një herë në përshëndetjen e tij drejtuar shqiptarëve për Vitin e Ri. Në këtë mesazh, Presidenti Topi, theksoi se "Kosova do të festojë fitoren më të madhe në historinë e saj, si shteti më i ri me kufij dhe koncepte evropiane". Por përveç këtij mesazhi të dhënë në ditën e fundit të vitit 2007, kreu i shtetit, ashtu si edhe drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit shqiptar, kanë theksuar dhe ritheksuar vazhdimisht se Shqipëria mbështet dhe punon për pavarësinë e Kosovës. Këto mesazhe ata i kanë përcjellë në të gjitha kancelarit dhe zyrat e shteteve evropiane. Shqipëria vazhdimisht u ka kërkuar dhe u kërkon vendeve të Evropës dhe të Ballkanit që të mbështesin pavarësinë e Kosovës, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare kështu një çështjeje shumëvjeçare, e cila po mban pezull edhe qetësinë e rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›