Përplasje në spitalin e burgut
Një përplasje me autoritetet e spitalit të burgut ka bërë që një i dënuar të mbetet në korridoret e këtij institucioni. Lajmi është bërë publik nga familjarët e tij, të cilët deklaruan se A.G. duhej të çohej në një spital civil, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, por autoritetet e burgu e kanë dërguar në spitalin e burgjeve. Kundërshtimi i tij, sipas familjarëve, është shoqëruar me dhunë fizike nga ana e policisë dhe së fundi ai është lënë në korridoret e spitalit, në pamundësi për të lëvizur. Lidhur me ngjarjen, "Shqip" ka kërkuar konfirmimin ose mohimin e saj nga ana e zëdhënëses së Drejtorisë së Burgjeve, Blerina Marini. "Për momentin nuk mund t‘u them asgjë, pasi është ditë pushimi. Duroni deri nesër, sa të shkoj në zyrë dhe të mund t‘ju jap informacion lidhur me këtë çështje", ishte përgjigja e marrë nga zyrtarja e burgjeve.