E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeplaku i fshatit Kuç, kreu i trafikut të drogës

Kohë më parë, policia i kërkoi kryepleqve të bashkëpunojnë në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Madje, për neglizhencën e tyre u kërcënua se do të merreshin masa. Megjithatë, policia nuk kishte menduar se ata mund të ishin vetë pjesë e këtij aktiviteti të jashtëligjshëm. Pa shkuar shumë larg në kohë, ditën e djeshme, policia ka nisur procedimin penal për kryeplakun një fshati në Tiranë, nën akuzën e kultivimit dhe shitjes së lëndës narkotike. Kryeplaku i fshatit Kuç është shpallur në kërkim nga antidroga, ndërsa vëllai i tij është arrestuar bashkë me një person tjetër. Kryeplaku Qerim Hidri, i proceduar edhe më parë për të njëjtën akuzë, furnizonte me kanabis një shpërndarës droge. Në banesën e tij u sekuestrua edhe një armë e tipit kallashnikov, si dhe shtatë thasë me rreth 60 kilogramë kanabis.

Në lidhje me këtë operacion, i cili u kodua me emrin "Kufiri i Fundit", policia e Tiranës deklaroi se u realizua gjatë orëve të para të mëngjesit, duke vendosur në pranga dy persona dhe shpallur në kërkim kryeplakun e fshatit Kuç për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Burimet policore bënë të ditur se operacioni u realizua pas një hetimi pesë mujor, ku është mbajtur nën vëzhgim objekti i operacionit. Kështu, me ndihmën e prokurorisë u mundësua goditja e një baze problematike të kultivimit të bimëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë Hidër Nazif Hidrin, 42 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kuç, i cili është vëllai i kryeplakut të këtij fshati dhe Agron Ramazan Gurakuqin, 33 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Mëzes, i proceduar më parë për "vjedhje me armë".

Ndërkohë, policia shtoi se Qerim Nazif Hidri, 46 vjeç, lindur dhe banues në Kuç, i proceduar më parë për "kultivim të bimës narkotike", me detyrë kryeplak i fshatit Kuç, u shpall në kërkim. "Nga të gjitha strukturat operacionale të policisë së kryeqytetit po punohet për kapjen e tij", tha policia. Veç kësaj, grupi hetimor shpjegoi se pas hetimeve të kryera mbi të sipërcituarit, rezultoi se Agron Gurakuqi furnizohej me bimë narkotike me destinacion shitjen e saj, nga Qerim Hidri. Në këtë kuadër, pas një kontrolli të ushtruar në banesën e Gurakuqit u gjetën dhe u sekuestruan 12.4 gramë heroinë dhe 35.2 gramë kanabis.

Megjithatë, kontrolle u ushtruan edhe në banesën e kryeplakut dhe vëllait të tij, ku veç drogës, banesat e tyre ishin mbajtur edhe si depo armatimi. Policia deklaroi zyrtarisht se gjatë kontrollit në banesën e vëllezërve Qerim dhe Hidër Hidri, fillimisht u sekuestruan 500 qese, të cilat përdoreshin për kubik me qëllim rritjen e fidanit të bimës narkotike. "Gjithashtu, u sekuestruan 7 thasë me lëndë narkotike kanabis, ku pesha arrinte në 60 kilogramë dhe 315 gramë farë kanabisi", shtoi policia. Por, me vazhdimin e kontrollit dhe kryerjes së procedurave, policia sekuestroi 740 euro dhe 182 mijë lekë, të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Veç lëndës narkotike, problematike mbeten për policinë edhe armët e gjetura në familjen Hidri. Sipas të dhënave policore, nga kontrollet e uniformave blu janë gjetur në banesat e dy vëllezërve katër automatikë tip kallashnikov, një pistoletë, gjashtë krehër për automatik dhe 1600 fishekë. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe një letërnjoftim në emër të shtetasit Qerim Hidri dhe një palë targa mjeti me inicialet "HSK-N 7064". Por, personi kryesor i këtij aktiviteti të jashtëligjshëm nuk është prangosur nga uniformat blu. Burimet thanë për "Shqip" se dyshohet se ai ka mundur të largohet nga banesa, pak kohë para se të zhvillohej operacioni. Kjo ka sjellë dyshimet e policisë se operacioni mund të jetë dekonspiruar. Megjithatë, kërkimet për kryetarin e Komunës së Kuçit kanë vijuar gjatë gjithë ditës së djeshme në disa zona të vendit. Sipas të dhënave të policisë, banesa e tij po mbahet nën vëzhgim nga agjentët e antikrimit. Me ndërhyrjen e familjarëve, policia ka nisur negociatat për dorëzimin e kryetarit të komunës, ndërkohë që vazhdon puna hetimore për më tej mbi persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›