E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentët dhe arbitrit, në lojën e mëkatit

Të duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Arbitrit e futbollit nuk e gjejnë me vend të bëjnë komunikata kur dhunohen. Ndofta ngaqë ndodh shpesh dhe janë familjarizuar me këtë ritual. Dhe sapo presidenti Fushaj i Vllaznisë ka akuzuar Jarecin dhe shefat që i fryjnë bilbilit nga larg, arbitrit kanë sajuar komunikatën e famshme. Vetë shefi Mema betohet se ka qenë vepër e tyre natyrale, pa orientimin nga lart. Disa arbitra thonë se nuk mund të ndodhte ndryshe kur shigjetat shkonin te Jareci. Dhe pas tij, te shefi Mema. Dhe pas tij te "shefi i madh". Kushdo qoftë autori i komunikatës, quhet kurajë kur arbitrit thonë se disa presidentë janë të papërgjegjshëm në akuzat që bëjnë. Disave u vjen të pëlcasin kur kujtojnë se kanë ngritur kokë njerëzit "taksi" të futbollit. Prandaj edhe dyshojnë se rebelimi i arbitrave ka një prapaskenë.

Por kjo gjueti e dyanshme që ka nisur nuk është thjesht një alibi e fundvitit. Presidentët e pakënaqur nga arbitrit dyshojnë se gabimet e tyre janë të telekomanduara. Kështu, presidenti Fushaj i Vllaznisë thotë se bilbilit i fryjnë disa të tjerë që nuk duken në fushë. Për Hansanbelliun e Teutës, fatura shkon te shefi i "xhaketave", Sulejman Mema. Por në futbollin shqiptar është një ekuacion i vështirë të dallosh mëkatarin e vërtetë midis presidentëve dhe arbitrave. Disa paguajnë dhe disa gabojnë. Kjo është telenovela që vazhdon. Prandaj duhet besuar presidenti Xhani kur me humor thotë se "ne kemi investuar që ata të gabojnë". Një frazë që i shkon më pranë realitetit të lojës sonë, që kur mbërrijnë "ndeshjet e mëdha" besojmë vetëm tek arbitrit e huaj. Sepse presidentët nuk i këmbejmë dot. Po ndodh që sezoni i gjuetisë ndaj arbitrave të ketë filluar më shpejt se zakonisht. Ka dy mendime të kundërta: nga njëra anë ideja se po mbahet gjallë një rivalitet fals në kampionat, duke dhënë mundësinë e gabimeve herë këtu e herë atje dhe tjetri, ekipet tentojnë gjithnjë arbitrit misionarë. Ndaj ky dhjetor duket disi i ndryshëm, sepse tradicionalisht nuk kemi pasur komunikata në këtë muaj, por "lodra" për të mëdhenj.

Le të dëgjojmë trajnerin Hafizi të Tiranës, ekipi i të cilit çuditërisht këtë sezon nuk merret me arbitrit, bile ka përfituar nga ndonjë "gafë" e njeriut me të zeza: "Shikoni me vëmendje, të gjithë ankohen për arbitrit. Këta janë, nuk do të presim që të vijnë nga Kina".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›