E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku ndërkufitar, digjet automjeti, personat largohen

Një autoveture i është vënë zjarri në afërsi të Qafë Morinës nga vetë personat që udhëtonin me të. Dyshohet se ishin trafikantë droge apo automjetesh. Ngjarja ka ndodhur në pikën e kalimit të kufirit në Qafë Morinë të Tropojës. Ka kaluar nga Kosova për Shqipëri një autoveturë fuoristradë tip "Toyota", pa iu bindur policisë së kufirit për t‘u ndaluar. Një efektiv i shërbimit në këtë pikë ka pohuar se mosbindja e drejtuesit të mjetit ka vënë në alarm gjithë efektivat e policisë së zonës, duke izoluar kalimet e mundshme nga aksi. "Dyshuam menjëherë se këtu kemi të bëjmë me kontrabandë dhe e ndoqëm", tregon ai, duke shtuar se në autoveturën luksoze mund të ishin më shumë se dy persona. "Ka qenë errësirë dhe e kemi pasur shumë të vështirë të identifikojmë personat që ndodheshin në mjet", ka thënë polici. Pasi kanë udhëtuar disa km në drejtim të B.Currit, "Toyota" është kthyer mbrapsht dhe menjëherë i është vënë zjarri, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›