Artemisa dhe Apolloni, sërish në muzeun e Butrintit
Një asosacion me historinë e ndarjes së kokës nga trupi i Pashait të Madh të Janinës. "Koka në Stamboll e trupi në Janinë", e thotë edhe kënga. Këtu ta çonte mendimin ai bashkim që iu bë dje dy pjesëve të trupit të Apollonit, kokës që i kishte shpëtuar trafikimit e kishte mbetur në Butrint dhe shtatores së tij, që u bë plaçkë tregu në duar të trafikantëve të regjur. Në vazhdim të asosacionit, për Apollonin mund të thuhet "koka në Butrint dhe shtatorja në Pire". Por disa ditë më parë ajo udhëtoi për në vendin e origjinës dhe dje u vendos edhe në vendin që i takon në ansamblin arkeologjik. Koka u bashkua me trupin për të mos u ndarë më. Këtë bashkim, që u bë duke u shoqëruar edhe me mesazhin se është e mundur që çdo gjë të gjejë vendin e vet, e ka demonstruar dje ministri Pango. "Kështu do të venë në vendin e vet gjërat", u shpreh Pango, duke dashur të tregojë me këtë se ky është vendi i kokës te trupi, vendi i shtatoreve në atdheun e tyre, por edhe rendi i mjaft punëve, që momentalisht mund të jenë mish-mash, por që dalëngadalë po shkojnë aty ku duhet. Kështu, pas një "jete" të dyfishtë në dy shtete, Apolloni, i punuar 2200 vjet më parë në shkollën e njohur skulpturore të Foinikes, zuri një nga piedestalet e mbetura bosh në muzeun e Butrintit. Plot 80 vjet më parë misionari i arkeologjisë, Ugolini, do ta zbulonte atë në sitin e Butrintit. Por 11 vjet do të duhej ta kërkonin trupin e ndarë nga koka, në emër të fitimit në tregun e zi. Edhe kur u gjet në shtëpinë e trafikantëve që kanë përfunduar në gjykatat greke dhe mësohet të kenë marrë dënimin përkatës, nuk ishte e thjeshtë të provohej origjina e tyre shqiptare. As. Prof. Dr. Dhimitër Çondi tregon se shkoi e i pa ato në Janinë, pasi e kishte njoftuar homologu i vet i muzeut të Janinës, Kosta Zaho. "I njoha me shikimin e parë që ishin ato për të cilat u përdor edhe vinçi më 1997 për t‘i shkulur nga Butrinti". Por ishte tjetër gjë të kërkoje të të besonin e tjetër t‘ua provoje që ato ishin shqiptare dhe të marra nga Butrinti. Për këtë hyri në punë koleksioni fotografik i Apollonit të bërë me kokë dhe pa kokë. Kjo i bindi përfundimisht arkeologët grekë që origjina e shtatores së Apollonit ishte pa diskutim nga Butrinti dhe duhej ruajtur njësoj si të ishte atje deri sa të krijoheshin kushtet për t‘u kthyer andej nga erdhi, së bashku me shtatoren tjetër. Pothuaj të njëjtin fat të ikjes dhe ardhjes, të grabitjes dhe riatdhesimit, ka pasur edhe shtatorja e Artemisës së Nikesë. Disa fshatarëve të Finiqit, duke punuar tokat bujqësore plot 50 vjet më parë, vegla bujqësore u preku në mermerin e shtatit të asaj që do të identifikohej si Artemisa e Nikesë. Nuk u bë e mundur gjetja e kokës së saj. Por atë që fshatarët ia dhanë kulturës kombëtare, grabitësit e monumenteve ia shkëputën duke e transportuar deteve në vitin e mbrapshtë. Fati e desh që edhe Apolloni edhe Artemisa të gjenden, të përfundojnë pak kohë më parë në muzeun e Pireut të Athinës. Ata kanë udhëtuar po bashkë edhe në kthimin drejt Butrintit, që është "shtëpia" e përbashkët arkeologjike. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka qenë autoriteti që në një ceremoni të posaçme, organizuar dje në Butrint, ka hequr mbulesat nga shtatet e tyre të munguar 11 vjet nga qyteti antik. Edhe një herë ministri Pango ka vlerësuar mirëkuptimin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin e autoriteteve greke për të bërë të mundur atë që këto e të tjera objekte të trashëgimisë sonë kulturore të zënë vend në eksponatet e muzeut arkeologjik në Butrint. Sidomos nga arkeologët e punonjësit e muzeut arkeologjik, por edhe nga drejtuesit e parkut e ata të fondacionit "Butrinti". Kjo është përjetuar si një ditë e veçantë. "Duheshin 4 breza për të bërë një skulpturë të tillë", thotë drejtori i muzeut Çondi, duke treguar nga skulpturat e sapovendosura në vendin e tyre në muze. Kthimi i dy shtatoreve dje është një akt i përsëritur, pas atij të vitit 2003, kur në Butrint erdhën koka e Agribës, ajo e Herkulianës dhe koka e një fëmije. Të tria skulpturat ishin objekte të vjedhura nga muzeu i Butrintit gjatë bastisjes së parë të ndodhur më 1991. Portreti i Livias është një tjetër skulpturë e kthyer nga Amerika, ku atë e dha pa shpërblim blerësi i saj në Amerikë. Apolloni dhe Artemisa pasurojnë fondin e veprave skulpturore të muzeut të Butrintit, i cili tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, vendas dhe të huaj. Jo pak të huaj para se të dinë diçka për Shqipërinë dhe për Sarandën, dinë për Butrintin dhe nisen drejt tij për ta prekur me dorë pasurinë dhe magjinë e tij, për të vlerësuar Butrintin si një pasuri e mrekullueshme e turizmit kulturor në jug të vendit, që pret dhe përcjell vizitorë, me rritje në numër. Këtë do ta pohonte dje edhe ministri Pango, i cili duke marrë shkas nga ky sit shqiptar, që është bërë pjesë e trashëgimisë botërore, përmendi bumin turistik të 2007-ës dhe paralajmëroi nga Butrinti një shtim në kufijtë e dyfishimit të flukseve të turistëve të huaj për sivjet. Ai e ka lidhur këtë edhe me publicitetin që po i bëhet Shqipërisë në media prestigjioze ndërkombëtare. Promovimin e vendosjes së dy shtatoreve të riatdhesuara në Butrint, ai e ka përdorur edhe për të sqaruar opinionin lidhur me raportin e UNESCO-s. Qëndrimin e këtij organizmi botëror kujdestar ndaj Butrintit e ka quajtur të paraqitur në një dritë të shtrembëruar, duke pohuar se, sipas tij, ky raport vlerëson arritjet e shënuara nga viti 2005 deri në 2007. Njëherësh ai ka thënë se raporti ka qenë i hapur, nuk është mbajtur i fshehtë, por dikush e ka rikthyer në vëmendje të disa mediave, duke thënë se është e njohur. se këtë e ka bërë ish-drejtori i Parkut të Butrintit. Pango ka folur edhe për mundësinë e sjelljes së mjaft objekteve të tjera të trashëgimisë sonë kulturore, që ndodhen në shtete të ndryshme të Evropës, ndërkohë që ka rivlerësuar gatishmërinë e autoriteteve shtetërore dhe arkeologjike greke për të bërë dorëzimin e shtatoreve që nga dita e djeshme zunë vend në eksponatet e muzeut të Butrintit, duke e marrë këtë si shenjë të integrimit në bashkësinë evropiane në fushën e vlerave të trashëgimisë kulturore.
Pritja në Qafë-Botë
Dy shtatoret janë riatdhesuar duke i futur në tokën shqiptare nga porta e kalimit kufitar të Qafë-Botës, ndoshta gjeografikisht nga i njëjti vend ku trafikantët e tyre 11 vjet më parë i kaluan në mënyrë klandestine, të favorizuar edhe nga mungesa e shtetit më 1997. Në se ministri Pango ka ripërsëritur dje në ceremoninë e vendosjes së shtatoreve në piedestalet e tyre në muzeun e Butrintit se gjërat po shkojnë dhe gjejnë vendin e tyre, është shenjë vitaliteti që kjo ka nisur nga vlerat e kulturës. Shtatoret kanë mbërritur në Qafë-Botë në një ambalazhim special, por edhe nën shoqërinë e autoriteteve shtetërore, arkeologjike dhe policore të të dyja shteteve. Sekretari i ambasadës shqiptare në Athinë ka qenë një ndër përfaqësuesit shtetërorë që është kujdesur për udhëtimin dhe mbërritjen e tyre në tokën shqiptare.
Objektet e riatdhesuara
- Shtatorja e Artemisit, e grabitur në Butrint, është objekt i shekullit III para Krishtit. Ajo është e lartë 125 cm dhe është punuar në gur. Dhimitër Çondi thotë se autorë të zbulimit të saj më 1958 në Foinike janë fshatarët nga Finiqi i sotëm. Statujës i mungojnë dy krahë, koka dhe pjesa e poshtme e këmbëve. Mban veshur një mantel dhe hemation dhe dallohen dy rripa të kryqëzuara, karakteristikë dalluese e portretit të saj. Artemisi paraqitet në lëvizje dhe ka ngjashmëri me shtatoren me famë botërore të Nikesë së Samothrakës (Greqi), që sot nuk ekziston.
-Shtatorja e Apollonit, është grabitur në Butrint, shekulli II pas Krishtit. Lartësia e saj është 138 cm dhe është e punuar në mermer. Perëndia Apollon paraqitet e zhveshur, me trupin e mbështetur mbi këmbën e djathtë. Këmba e majtë është e dalë pak më përpara dhe është duke shtypur një zhabë. Koka e Apollonit, duke qenë e shkëputur nga trupi, i ka shpëtuar grabitjes, pasi ka qenë e transportuar së bashku me mjaft skulptura të tjera për ruajtje në fondet e institutit arkeologjik në Tiranë. Sot gjendet e ekspozuar në këndin e perëndive në Butrint dhe pret t‘i bashkohet trupit që do të riatdhesohet më 31 janar.
Janë ende në kërkim:
- Statujë vajze, e lartë 66.5 cm, e punuar në mermer. Është e shekullit VI-IV para Krishtit.
Koka është e ngjitur. Bazamenti i ulët është punuar njësh me trupin. Veshja është një mantel i lidhur lart, me pala, të cilin e ngre me dorën e majtë. Dora e djathtë para gjoksit mban bririn e bollëkut. Në sup dallohen lidhëse.
- Statujë pa kokë (Afërdita), e lartë 125 cm, e punuar në mermer. I përket periudhës klasike, shekulli VI-IV para Krishtit. Mendohet se duhet të ketë pasur kokën e Afërditës. Bazamenti është punuar bashkë me statujën. Dora e djathtë, nga mesi e poshtë, mungon, kurse e majta mungon nga mesi i parakrahut. Pjesa e poshtme e trupit është pothuaj ballore, ajo e sipërmja paraqet një kthim intensiv ndaj formës shoqëruese.
Janë gjetur:
Koka e Asklepit, hyut të Mjekësisë, gjithashtu rrëmbyer në vitin 1991 nga Butrinti. Ajo është gjetur në Itali dhe aktualisht ndodhet në dorën e drejtësisë italiane.