E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Benedikti, apel për paqen në botë

Papa Benedikti tha të martën se dëshironte që Krishtlindjet të sillnin ngushëllim për të gjithë ata që jetonin në varfëri, padrejtësi dhe luftë, si edhe apeloi për zgjidhjen e konflikteve në Irak, Tokën e Shenjtë, Afganistan dhe Afrikë. Në mesazhin e tij, Urbi et Orbi (drejtuar qytetit dhe botës) në ditën e Krishtlindjeve, Papa gjithashtu u kërkoi njerëzve në shoqëritë moderne të pranonin dritën e Krishtit dhe paralajmëroi se shumë tragjedi njerëzore ishin shkaktuar nga çrregullimet ambientale. "Le të jenë këto Krishtlindje për të gjithë njerëzit një ditë gëzimi, shprese dhe paqeje", tha ai në fjalimin e tij nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, para dhjetëra e mijëra njerëzve të pranishëm. Fjalimi i Papa Benediktit u transmetua drejtpërsëdrejti në mbi 57 vende të botës. "Drita e Krishtit, që ndriçon çdo qenie njerëzore, le të shndrisë fort dhe të ngushëllojë të gjithë ata që jetojnë në errësirën e varfërisë, padrejtësive dhe luftës", tha ai. Krishtlindjet duhet t‘i japin shpresë atyre që iu mohohen aspiratat legjitime për një ekzistencë më të sigurtë, për shëndet, edukim dhe punësim të qëndrueshëm, për pjesëmarrje të plotë në përgjegjësitë civile dhe politike, pa represion dhe të mbrojtur nga kushtet që shpesh fyejnë dinjitetin njerëzor, vijoi Ati i Shenjtë. Papa, që numëron kështu edhe Krishtlindjet e treta që pas zgjedhjes në krye të Vatikanit, tha se ai i qëndronte pranë anëtarëve më vulnerabël të shoqërisë, që shpesh janë edhe viktimat kryesore të konflikteve dhe terrorizmit; grave, fëmijëve, të moshuarve, emigrantëve, refugjatëve dhe të evakuuarve. Ai paralajmëroi se "tensionet etnike, fetare dhe politike, destabiliteti, rivaliteti, mosmarrëveshjet dhe të gjitha format e padrejtësive dhe diskriminimit po shkatërrojnë strukturat e brendshme të shumë vendeve si edhe po hidhërojnë marrëdhëniet ndërkombëtare". Në një ditë që nënkupton paqen, Papa Benedikti tha se u qëndron pranë edhe njerëzve që jetojnë në ato vende ku gjëmimet e zymta të armëve vazhdojnë të dëgjohen". Ai foli për Darfurin, Somalinë, Republikën Demokratike të Kongos, Eritrenë, Etiopinë, Irakun, Libanin, Tokën e Shenjtë, Afganistanin, Pakistanin, Sri Lankën, Ballkanin dhe shumë vatra të tjera të krizës që fatkeqësisht, lihen shpesh në harresë. Papa bëri një tjetër apel për mbrojtje të ambientit, duke thënë se numri i emigrantëve, refugjatëve dhe të evakuuarve, po vjen gjithashtu në rritje për shkak të rritjes progresive të katastrofave natyrore, shpesh të shkaktuara nga çrregullime alarmuese ambientale. Më herët, të martën, Papa kryesoi 1.1 miliardë katolikët e botës në meshën e Krishtlindjeve, të zhvilluar në mesnatë në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku i kërkoi njerëzve të gjenin kohë dhe vend për Zotin, nevojtarët dhe të vuajturit. Në ceremoninë e mesnatës ai tha se fakti se Jezu Krishti kishte lindur në një stallë, sepse nuk kishte vend për Marinë dhe Jozefin brenda në Betlehem, përmban edhe paralelizma moderne. Në njëfarë mënyre, njerëzimi po pret Zotin, po pret që ai të shfaqet. Por, kur ky moment vjen, nuk ka vend për të", tha Papa. "Njeriu është kaq i shqetësuar për vetveten, ka një nevojë urgjente për të gjithë hapësirën dhe kohën për gjërat e tij, sa që shpesh herë mbetet krejt pak për të tjerët, për fqinjin e tij, për të varfërit, për Zotin. Dhe sa më i pasur të bëhet ai, aq më shumë mendojnë ata për veten, aq më pak iu shkon mendja te të tjerët". E gjatë fjalës së tij të Krishtlindjeve, Papa Benedikti, përsëriti disa herë apelin drejtuar katolikëve, të rizbulojnë domethënien fetare të kësaj dite, duke u ankuar se festa ka filluar së fundmi të dominohet nga materializmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›