Ivanaj: Rama po politizon spitalet
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, ka reaguar në emër të këtij dikasteri lidhur me takimet e kreut të PS-së, Edi Rama, në disa spitale dhe qendra shëndetësore në rrethe të vendit. "Fatkeqësisht konstatojmë se gjatë këtyre vizitave, kreu i PS-së është përpjekur që të politizojë ambientet shëndetësore nën petkun e të ashtuquajturit "Dialog me Shqipërinë" dhe "politikës së re që propagandon Rama", u shpreh Ivanaj, duke shtuar se rikthimi në zakonin e vjetër të propagandës partiake në spitale dhe qendra shëndetësore, nuk është dhe as mund të jetë politikë e re. Turi i ndërmarrë nga PS-ja, u konsiderua nga Ivanaj "një politikë tërësisht e vjetër, që absolutisht nuk i sjell asgjë të mirë sistemit tonë shëndetësor, dhe aq më pak u shërben qytetarëve". Ndërkohë që Edi Rama, në diskutime me mjekët dhe personelin shëndetësor në spitalet dhe qendrat shëndetësore të rretheve ka theksuar mungesat dhe shqetësimet e mëdha të këtij sektori, si dhe të pacientëve që nuk gëzojnë shërbimet e garantuara me ligj.