E kërcënoi gjyqtari, vret veten veterineri
Veterineri vret veten nga frika mos e fusnin në burg. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Kafaraj të Fierit, kur veterineri i Komunës Levan i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur në lumin Vjosë, që përshkon fshatin. Policia e Fierit, pas gjetjes së trupit të burrit 42 vjeç dhe pas marrjes në pyetje të të afërmve të tij, ka deklaruar se shkak i vetëvrasjes ka qenë gjendja depresive e tij, e cila ka ardhur si rrjedhojë e një problemi që kishte me drejtësinë. Gjithashtu, edhe familjarët kanë reaguar, duke thënë se "gjyqtari që e kërcënoi me burg është shkaktar i vetëvrasjes".
Sipas burimeve nga fshati Kafaraj i Komunës Frakull në rrethin e Fierit, mësohet se 42-vjeçari Sami Troka është hedhur me qëllimin e vetëm për t‘u vetëvrarë në rrjedhën e lumit Vjosë. Lumi përshkon fshatin Kafaraj në një largësi prej 500 metrash nga shtëpitë. Rreth orës 11.00 të paradites së djeshme, Sami Troka ka lënë nënën dhe babanë në shtëpi dhe pasi ka pirë një kafe në një nga lokalet e fshatit, i është drejtuar lumit. Kur është hedhur në ujë, ai është parë nga një bashkëfshatar, i cili ka lajmëruar të afërmit e 42-vjeçarit. Këta të fundit kanë lajmëruar policinë e Fierit dhe prej saj grupe ekspertësh janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Për më shumë se tri orë kanë zgjatur kërkimet për gjetjen e trupit të Sami Trokës. Sipas burimeve policore, trupi i tij është gjetur 5 kilometra larg nga vendi ku ishte hedhur, rreth 300 metra larg nga Ura e Mifolit. Në trupin e tij policia nuk ka gjetur asnjë shenjë dhune, ndërkohë që ekspertët që këqyrën paraprakisht kufomën kanë deklaruar për "Shqip" se: "42-vjeçari nuk kishte tentuar ta shpëtonte veten. Ai kishte lidhur duart me një litar, të cilin e kishte lënë të lirë. Kjo lidhje është bërë me qëllim që të mos kishte mundësi të notonte pas hedhjes në lumë". Qëllimi fillestar i Policisë së Fierit ka qenë gjetja e trupit të viktimës, pasi dhe familjarët e tij merrnin pjesë në operacionin e kërkimit. Pas gjetjes së trupit, 300 metra larg nga Ura e Mifolit, familjarët kanë deponuar për policinë. Prej kësaj të fundit konfirmohet se Sami Troka, 42 vjeç, banor i fshatit Kafaraj të Komunës Frakull, tri ditët e fundit kishte shfaqur shenja depresioni, por asnjëherë nuk kishte përmendur vetëvrasjen. Ndërkohë, burime zyrtare nga grupi i hetimit kanë pohuar se "gjatë marrjes së deklarimeve nga të afërmit e viktimës, është konfirmuar se prej dy muajsh, Sami Troka ishte në proces gjyqësor, për shkak të punës së tij". Duke iu referuar dëshmive të familjarëve, dhënë në vendin e ngjarjes, por edhe për policinë, mësohet se tri ditë më parë, në një nga seancat gjyqësore, Sami Troka është kërcënuar nga gjyqtari i çështjes se do të futet në burg. Pas kësaj seance ai ka shfaqur shenja depresioni dhe është keqësuar në shëndet. Burimet nga grupi i hetimit saktësojnë se tre muaj më parë, duke qenë veteriner i Komunës Levan, Troka kishte ushtruar kontroll në disa nga dyqanet e mishit në zonë. Në disa dyqane ai kishte vendosur gjoba për mungesë të kushteve higjieno-sanitare. Por një prej kasapëve të gjobitur ka apeluar gjobën, duke e çuar çështjen në gjykatë. Këtu është dhe zanafilla e gjithë gjendjes së rëndë depresive ku kishte rënë tri ditët e fundit 42-vjeçari.
Sami Troka ishte i pamartuar dhe jetonte me nënën e babanë. Ai ka përfunduar arsimin e lartë për veterinari dhe ka punuar gjithmonë si veteriner në komunat Frakull e Levan, si dhe pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier. Në fshat e njihnin si njeri të qetë dhe pa probleme.