LSI: Pro rritjes së pragut elektoral deri në 4%
E vetmja nga partitë e vogla të majta, e cila ka vlerësuar nismën e dy partive të mëdha për rritjen e pragut elektoral, është LSI-ja. Drejtuesit e kësaj partie, që ditën e parë kur ka nisur debati për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ngritjen e pragut elektoral, kanë hedhur idenë e një pragu prej 4%. Ide e cila nuk është pritur mirë nga partitë e tjera të vogla, si të majtat, ashtu edhe të djathtat. Aktualisht LSI-ja është partia e tretë reale politike në vend, pasi të gjithë deputetët e saj që sot ka në Parlament, janë zgjedhur drejtpërdrejt nga zonat elektorale duke treguar se është një parti me peshë dhe elektoral. Tregues i cili nuk gjendet te partitë e tjera parlamentare, të cilët duke nisur nga kryetari i tyre dhe deri te deputeti më i fundit, përfaqësohen në Kuvend nga lista proporcionale apo nga bashkëpunimi me njërën nga partitë e mëdha, si nga PD-ja kur bëhet fjalë për partitë e vogla të djathta, ashtu edhe nga PS-ja kur bëhet fjalë për partitë e vogla të majta. Nga katër modelet elektorale që kishin propozuar në tryezën e punës së komisionit parlamentar të reformës zgjedhore përfaqësuesit e OSBE-së në vendin tonë, partitë e vogla si të majta dhe të djathta i vunë gishtin modelit gjerman. Sipas tyre, ky është modeli më i mirë dhe që i përafrohet më shumë Shqipërisë. Për të treguar se janë të unifikuar në qëndrimin e tyre, pak ditë më pas pasi OSBE propozoi katër modelet, partitë e vogla parlamentare u ulën në një tryezë të përbashkët, ku vendosën t‘u kërkonin dy partive të mëdha që të pranonin modelin gjerman për ta aplikuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithçka u duk mirë deri ditën kur ishin shprehur vetëm partitë e vogla parlamentare. Por një ditë më pas, si përfaqësuesit e PS-së, ashtu edhe ata të PD-së, e kundërshtuan një vendim të tillë, duke theksuar se për ta modeli më i mirë ishte ai spanjoll, i cili eliminonte edhe sistemin e dushkut, që është kundërshtuar fort dhe ka shkaktuar mjaft debate politike vitet e fundit në Shqipëri. Sistemi spanjoll duket sa ka bashkuar dy partitë e mëdha, të cilat për fat të keq të partive të vogla kanë edhe veton për të caktuar modelin që duan nëse partitë e vogla nuk bien dakord me qëndrimin e tyre. Por sesa do të ndodhë kjo, pra që PD e PS të vonojnë për reformën dhe sistemin zgjedhor, apo të pranojnë edhe sugjerimet e të vegjëlve, kjo mbetet për t‘u parë në katër muajt e parë të vitit 2008, ku pritet të ketë një debat intensiv në politikën shqiptare.