E Diel, 1 Nëntor 2026

De Marnak: KFOR-i nuk do të tolerojë kurrfarë dhune

Komandanti i KFOR-it, Ksavier dë Marnak, i ka vizituar paqeruajtësit në pikën kufitare në Zubin Potok, ku qenë djegur pikat doganore nga protestuesit serbë, në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë nga institucionet e Kosovës. Në këtë pikë kufitare tashmë është ngritur një postbllok i KFOR-it në të cilin dhjetëra ushtarë kontrollojnë veturat që kalojnë nëpër këtë vendkalim kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Gjenerali Dë Marnak përsëriti se KFOR-i është i përkushtuar për siguri në gjithë Kosovën dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj dhune. Kreu i KFOR-it vizitoi edhe Portën 31 të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, ku po zhvillohet qarkullimi i lirë i automjeteve. Ai me këtë rast u ka deklaruara gazetarëve: "Siç po shihni, na po bëjmë punën tonë dhe kjo është një vizitë rutinore që po ua bëj ushtarëve të mi për t‘u njohur për së afërmi me bazën si po vënë punët, natyrisht për t‘i siguruar ata dhe të tjerët se KFOR-i vazhdon punën e vet për siguri dhe për një ambient të sigurt, si dhe për një lëvizje të lirë të qytetarëve në tërë territorin e Kosovës në harmoni me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së". Trupat e KFOR-it janë duke mbështetur policinë e Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimin Policor të Kosovës për të rivendosur vendkalimet kufitare të djegura gjatë protestave të komunitetit serb. "KFOR-i është i vendosur të mbajë ambient të qetë dhe të sigurt të Kosovës, si dhe të mos lejojë eskalimin e dhunës ngado që të vijë ajo", ka thënë Dë Marnak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›