Rama: Jo premtime që s‘i mbajnë dot
Edi Rama ka vijuar dje dialogun për çështjet sociale në veri dhe verilindje të vendit, në qytetin e Bulqizës dhe në Shupenzë të Dibrës. Gjatë takimit të zhvilluar në Bulqizë, drejtuesit e lartë socialistë kanë dëgjuar nevojat e këtyre banorëve që jetojnë me minierën. Në këtë takim Rama u shpreh se politika e re është një vetëdije për të bërë premtime realiste dhe të realizueshme, pasi kemi 17 vite të humbura nga jeta jonë dhe ende jetohet në kufijtë e tragjedisë. "Ju siguroj që është një barrë shumë e madhe ky besim që ju më jepni", tha Rama. Sipas tij, është një barrë shumë e madhe që, duke e ndjerë këtë besim, të nxjerrësh nga goja fjalë të cilat janë vërtet fjalë zemre, por duhet të jenë dhe fjalë të mirëmenduara, për të mos bërë premtime të cilat nuk mbahen dot. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Shupenzës, Rama është shprehur se kjo gjendje mizerjeje dhe varfërie ku jetojnë banorët e kësaj zone duhet të marrë fund sa më parë përmes një bashkimi të ri.